E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha szbatoi detyrimin për indeksimin e pensioneve

 

****

Pas deklaratës së Berishës për pensionet, reagon nënsekretari socialist i PS

TIRANË- Nënsekretari i PS-së për programin, Ilir Beqja deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha nuk ka ndërmend që të zbatojë detyrimin ligjor të indeksimit të pensioneve për muajin maj dhe qershor, i cili bazohet pikërisht në një vendim të firmosur nga vetë ai, në datën 1 Shkurt të dy viteve më parë. “Kryeministri deklaroi se do të rrisë pensionet vetëm në datën 1 Korrik. I kujtojmë Kryeministrit dhe klanit të ministrave të tij, se, së pari, kanë detyrim të indeksojnë pensionet, për të ruajtur vlerën e tyre reale. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it dhe përcaktimeve të Vendimit 61, të 1 shkurtit 2006, i kujtojmë Kryeministrit të vendit se inflacioni i pensionistëve është 6.3% në muajin mars dhe 6.2% në muajin prill. Pasi të zbatojë këtë detyrim ligjor, Kryeministri le t’u thotë pensionistëve shqiptarëve se sa do t’ua rrisë realisht pensionet. I kujtojmë Kryeministrit dhe klanit të ministrave të tij, se mosindeksimi për muajt maj e qershor, është një vjedhje e pastër qeveritare”,- tha dje Beqja. Në këto kushte, nënsekretari socialist shtoi se, “Kryeministrin e vendit, në mbulimin e dështimeve të tij, nuk mund ta ndihmojnë as neologjizmat leksikore, dhe as sulmet që i bën medias”. “I kujtojmë të vetëquajturit “Sali Premtimmbajtësi” se pasi ka konsumuar më shumë se 2/3 e mandatit të tij, për pensionistët e qytetit nuk ka realizuar as 1/4 e premtimit të programit qeveritar për dyfishimin e pensioneve. Midis pensionisteve dhe pensionistëve të Shqipërisë ka edhe 64-vjeçarë. I kërkojmë Sali Berishës që, të paktën, të mos tallet me bashkëmoshatarët e tij”,- tha ai. Dy ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha tha se më 1 korrik do të rriten pagat, pensionet. “Pensionistët, shtresat në nevojë ekonomike dhe buxhetorët, kudo ku janë, në qytet dhe në fshat, do të kompensohen një për një për rritjen e çmimeve. Ju siguroj se më 1 Korrik, pagat dhe pensionet do të rriten dhe rritja do të jetë e tëra në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre”,- tha ai dy ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›