Lotaria false, arrestohen 4 të akuzuarit për mashtrim
Të arrestuarit nga policia mashtronin qytetarët, duke iu marrë numrat e kartave rimbushëse të telefonit
TIRANË- “Ju jeni shpallur fitues, por për të marrë dhuratën, duhet të na jepnin kodet e pesë kartave rimbushëse të telefonit”. Me këto fjalë, pesë persona kanë mundur të mashtrojnë qytetarë të ndryshëm duke u vjelur atyre shuma të konsiderueshme parash. Pas denoncimeve të shumta, policia e Tiranës nisi hetimet duke zbuluar dhe mashtruesit. Ditën e djeshme, specialistë e seksionit të Luftës Kundër Krimit Financiar organizuan një operacion të koduar “Mashtrimi” i cili u finalizua me arrestimin e katër personave ndërsa një tjetër ndiqet në gjendje të lirë. Naim Gjoklaj, 27-vjeç, Petrit Sheta, 34-vjeç, Esat Baja, 42-vjeç, dhe Gjin Ndoi, 31-vjeç, ky i fundit do të ndiqet i lirë, janë pesë personat të cilët kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm me qëllim që t’iu merrnin shuma të konsiderueshme parash. Burime zyrtare nga policia thanë se specialistët e antikrimit ekonomiko-financiar kishin regjistruar denoncime të shumta nga qytetarë të ndryshëm rreth një viti më parë. Të dëmtuarit deklaruan se ishin mashtruar nga disa persona se ishin fitues të lotarive nga një kompani e njohur, por për të marrë dhuratën iu duhej të bënin të ditur kodin e disa kartave rimbushëse të kompanive celulare. Por pasi dorëzonin 12 shifrat që përmban karta rimbushëse, nuk merrnin asnjë dhuratë sepse personat ishin zhdukur. Sipas policisë, të njëjtën skemë mashtrimi pesë personat kanë ndjekur me shumë njerëz të ndryshëm, kryesisht ata që kishin aktivitete private. Kështu, pas denoncimeve, policia nisi hetimet të cilat zgjatën rreth një vit duke bërë të mundur identifikimin e tyre. Ditën e djeshme, pasi kanë lokalizuar vendndodhjen e mashtruesve, policia ka organizuar një operacion i cili përfundoi me prangosjen e tyre. “Gjatë kontrollit të banesave, të arrestuarve iu sekuestruan aparate dhe numra të telefonave celularë, me të cilat dyshohen se kanë kryer mashtrimin, një armë zjarri dhe 350 copë fishekë”, thanë burimet zyrtare nga policia e Tiranës e cila u bën thirrje personave të dëmtuar nga ky mashtrim, që të paraqiten pranë Policisë së Tiranës, për të deponuar kallëzimin. Pesë personat akuzohen për veprën penale të “Mashtrimit më shumë se njëherë” e kryer në bashkëpunim, dhe “Armëmbajtjes pa leje”, dhe dosja në ngarkim të tyre i kaloi për hetime të mëtejshme seksionit të Luftës Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë. K. Kotorri