E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, në gusht lista e pronarëve

Në gusht do të jetë gati lista e pronarëve që do të legalizojnë objektet e tyre. Kështu është shprehur në një prononcim për mediat nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimit, Ferdinant Shehu. 

Fabiola Çela

“Më 1 gusht ALUIZNI do të dërgojë në Këshillin e Ministrave listat me emrat e atyre pronarëve të asaj sipërfaqeje me të cilën do të fillojë legalizimi. Po punohet në shumë drejtime nga të 12 qarqet, në zonat informale që janë miratuar dhe nga dita në ditë do të përcaktohet zona”, ka thënë ai. Ndërkaq në bazë të ligjit deri në tetor duhet të përfundojë shpërndarja e parave për kompensimin e ish-pronarëve, në trojet e të cilëve janë ndërtuar objekte pa leje.
Zonat
Është mbyllur tashmë miratimi i zonave informale mbi 5 hektarë. Zonat e tjera janë nën 5 ha dhe miratimi i tyre kryhet nga KRRT e qyteteve përkatëse. Në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së u miratua legalizimi i 11.364 objekteve informale. Nga ky vendim i KRRTRSH-së përfituan 6 qarqe të vendit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Legalizimit deri më tani janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha dhe me një kosto që futet në treg prej 6 miliardë eurosh që janë miratuar në KRRTRSH, ndërsa 80 mijë pasuri të tjera janë në proces legalizimi. Sipas ligjit të legalizimeve, qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. Ndërsa mënyra e tretë për të shlyer pagesën e një ndërtimi pa leje është likuidimi me këste ose nëpërmjet sistemit të kredisë. Ndërkohë, kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 3000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që të marrin titujt e pronësisë nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›