E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëv: Jemi në majat e futbollit evropian

Vetëm një ditë pas finales së humbur në Vjenë me Kombëtaren spanjolle, trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, ka bërë bilancin për këtë Evropian, duke lavdëruar skuadrën e tij për profesionalizmin që tregoi në gjashtë javë punë intensive. 

 Për 48-vjeçarin, ky ka qenë i pari turne i madh si trajner, pasi në Botërorin e 2006, Lëv ka qenë asistent i Klinsmanit.
Si do e vlerësonit humbjen në finale 1-0 me Spanjën?
Duhet të pranojmë kualitetin e spanjollëve. Ata ishin shumë lart teknikisht dhe patën edhe rastet më të mira për të shënuar. Goli nuk duhet të ishte pësuar në atë mënyrë, megjithatë spanjollët qenë vërtetë të rrezikshëm në lojën e tyre në sulm. E merituan fitoren!
Sa i zhgënjyer ndiheni?
Padyshim që jemi të gjithë të zhgënjyer, që nuk arritëm të fitonim në finale. Megjithatë, dua ta përgëzoj skuadrës time për atë që dha në fushë si nga ana luftarake, ashtu edhe për sa i përket lëvizjeve në fushë. Ajo çfarë kanë treguar lojtarët e mi gjashtë javët e fundit ka qenë thjesht fantastike. Ne jemi argëtuar jashtë mase së bashku dhe respekti që kemi treguar për njëri-tjetrin ka qenë i jashtëzakonshëm.
Çfarë i thatë skuadrës në dhomat e zhveshjes?
I kam thënë çdo lojtari në veçanti se nuk duhet ta ulë kokën. Ne arritëm të shkonim gjer në finale dhe kjo është diçka e veçantë.
Ku do e rendisnit skuadrën tuaj pas këtij turneu?
U vu re fare qartë gjatë këtij Evropiani, si dhe gjatë ndeshjeve eliminatore, se ne jemi në majat e futbollit evropian. Kemi mësuar se si mund të përmirësohemi. Ne përfaqësohemi në majat e futbollit botëror dhe atij evropian. Por nuk duhet të humbim fuqinë dhe dëshirën për të punuar edhe më shumë për të ardhmen.
Çfarë do u premtonit tifozëve të zjarrtë gjermanë për të ardhmen?
Do të kualifikohemi për në kampionatin botëror të vitit 2010, dhe nëse na bie të ndeshemi edhe një herë në një kompeticion të madh me Spanjën, atëherë do ta mundim patjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›