Studiuesit në kërkim të etnografisë në Kukës
Vajza të veshura me kostume popullore, shihen shpesh këto ditë në rrugët e Kukësit. Prej disa ditësh një grup specialistësh të Institutit të Folklorit të udhëhequr nga dr. Afërdita Onuzi, vijojnë ekspeditën e tyre për të fotografuar kostumet tradicionale. Siç tregon vetë dr.Onuzi, ekspedita bëhet në kuadër të një projekti të madh kombëtar për hartimin e një korpusi për veshjet popullore shqiptare. Projekti përmban nxjerrjen në dritë të katër vëllimeve-albume, tre prej të cilëve kanë përfunduar, për plotësimin e gjithë panoramës së kulturës popullore të veshjeve në gjendjen aktuale që paraqiten me veçoritë e tiparet dalluese. “Tre prej albumeve kanë fiksuar tashmë kostumet e zonave të jugut të vendit si dhe të Shqipërisë së Mesme e Veriperëndimore. Albumi aktual do të përfshijë rrethet Lezhë, Shkodër, Mirditë, Malësi e Madhe, Kukës, Pukë, Has dhe Tropojë”, thotë ajo. Sipas saj, gjithashtu i njëjti projekt parashikon hartimin e një vëllimi të pestë me kostume të Kosovës, për të cilat prej pak kohësh ka nisur edhe realizimi. Etapa e parë e kësaj ekspedite është zhvilluar një muaj më herët, ku janë vendosur piketat e mundshme për sigurimin e lëndës së parë dhe bartësve të mundshëm për t’i fotografuar. Janë fiksuar kështu veshje grash dhe burrash të Lumës dhe zona të tjera etnografike në momente të ndryshme pune dhe mosha të ndryshme po ashtu. “Nuk bëjmë thjeshtë fotografi, por synohet të paraqitet ekonomia tradicionale e rrethit, mjeshtëritë popullore e kështu me radhë. Kostumet i fotografojmë në mjediset ku kanë bërë jetën e tyre, në sfondin real. Fotografojmë gjithashtu edhe pjesë të veçanta të veshjeve që paraqesin vlera të caktuara artistike”. Një numër veshjesh u morën nga muzeu i rrethit të Kukësit, i cili edhe ashtu në gjendje magazine që ndodhet, ofron një pasuri të konsiderueshme etnografike të zonave që përfshin. Më tej një muze modest në fshatin Përbeg të këtij rrethi ka ofruar elemente të kulturës materiale, që shërbejnë si sfond dhe përbërje harmonike të veshjeve të traditës. j.h