Meta i kundër përgjigjet Ramës: Kemi bërë revolucion për integrimin e vendit

Kreu i LSI akuzon drejtuesin e opozitës se po punon kundër interesave kombëtare. Deklarata/ “Vizat - Shqipëria në “Schengen”, brenda vitit”
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta akuzon kryesocialistin Edi Rama se po përdor çdo mjet për të dëmtuar imazhin e vendit. Deklarata e Metës, erdhi dje nga Berati, gjatë një takimi të organizuar me simpatizantë atje. Shefi i diplomacisë shqiptare, në fjalën e tij para mbështetësve, tha se progresi që po bën qeveria në drejtimin e vendit, po përpiqet të nxihet nga opozita e udhëhequr nga Edi Rama. Sipas Metës, formacioni i Edi Ramës, përballë angazhimit reformator të qeverisë, është për penalizmin e aspiratës së Shqipërisë drejt BE.
TIRANë- Në një kohë kur kryesocialisti Edi Rama paralajmëron për një revolucion popullor, mazhoranca i kundërpërgjigjet duke i bërë të ditur se revolucioni është shënuar në drejtim të përmbushjes së kritereve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në këtë aspekt, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, deklaron se opozita bën mirë të heqë dorë nga qëndrimet tendencioze dhe të bëhet pjesë e sfidave të integrimit.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Berat me simpatizantë të LSI, Meta tha se është në të mirën e opozitës të mos konfirmohet si kundërshtare e proceseve të integrimit.
“Ne punojmë për gjithë shqiptarët. Do të ishte në nderin e lidershipit të Partisë Socialiste që të mos i kundërvihej këtij procesi, të vinte dhe të jepte kontributin e saj në mënyrë konkrete, ashtu sikurse është në ndihmën e mirë që të heqin dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit”, u shpreh z. Meta.
Lidhur me liberalizimin e vizave, Meta ka bërë të ditur se brenda vitit shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë hapësirën “Schengen”.
“Tashmë edhe faktori ndërkombëtarë e ka vlerësuar këtë progres shumë të madh që Shqipëria ka bërë në të gjitha drejtimet e kërkuara nga Udhërrëfyesi i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave; që nga dokumentet e sigurisë, të cilat vlerësohen të standardeve nga më të lartat në Bashkimin Europian, që nga kontrolli i kufijve dhe menaxhimi i tyre, lufta kundër krimit të organizuar dhe në të gjitha aspektet është një punë e voluminoze, konkrete dhe është një punë e madhe që ka treguar qartë vullnetin e kësaj qeverie, por dhe vullnetin tonë si Lëvizje Socialiste për Integrim për të garantuar mbajtjen e atij premtimi madhor që i shërben çdo qytetari shqiptarë dhe çdo qytetari edhe banori të Beratit, që brenda këtij vitit të gjithë shqiptarët të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në hapësirën Europiane”, u shpreh z. Meta.
Ai vlerësoi se ky proces ka jo vetëm një aspekt konkrete për lëvizjen e lirë dhe ekonominë, por është dhe një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë.
Duke theksuar dhe një herë rëndësinë që ka procesi i integrimit të vendit, kryetari i LSI-së, z. Meta e ftoi opozitën të mos bëhet pengesë e këtij procesi dhe të jap kontributin e saj në hapet e fundit që kanë mbetur drejt realizimit të këtij procesi.
Kryetari i LSI-së në fjalën e tij u ndal dhe në situatën politike duke vlerësuar se pretendimet e opozitës duhet të trajtohen në mënyrë kushtetuese.
Meta theksoi se mazhoranca është treguar tolerante duke i dhënë mundësi opozitës për kërkesat e saj, por opozita nga ana tjetër duhet të njoh dhe institucionet dhe vendimet e gjykatave.
“Duan të hapin kutitë, por për kutitë është marrë vendimi i gjykatës së zgjedhjeve. Në rast se ata duan të dalin mbi këtë vendim, le t’i drejtohen një gjykate që është mbi çdo gjykatë në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese. Duan që të interpretohet ky vendim, le ti drejtohen Komisionit të Venecias sepse është një institucion shumë prestigjiozë që na ka ndihmuar për të hartuar Kushtetutën me ekspertizë”, u shpreh z. Meta.
Më tej kreu i LSI-së u shpreh se opozita nuk ka qëllim transparencën e zgjedhjeve, por krijimin e një krize artificiale për të ardhur më pas në pushtet pa vota dhe jo në mënyrë demokratike.
Meta u ndal dhe në akuzat e PS-së për situatën ekonomike duke theksuar se arritjet e vendit në këtë pikë janë pozitive duke parë dhe zhvillimet rajonale dhe situatën kur bota gjendet në një krizë ekonomike.
Duke folur për procesin e riorganizimit të LSI-së, Kryetari i LSI-së, z. Meta u ndal në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke theksuar se me efiçencën e LSI-ë në qeverisje kjo forcë ka të drejtë të kërkojë dhe një mbështetje më të madhe nga qytetarët.
“Sfidat janë përpara, kemi zgjedhjet vendore. Në këtë drejtim unë do ju ftoja të gjithëve që të angazhohemi sepse nuk jemi shpejt për këtë sfidë”, u shpreh Meta.
Takimi u fokusua në riorganizimin e LSI-së për zgjedhjet lokale dhe në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe kontributin që po jep Lëvizja Socialiste si pjesë e qeverisjes.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste z. Ilir Meta i shoqëruar nga deputetet Nasip Naço, Lefter Koka dhe nga anëtari i Kryesisë Luan Rama, si dhe nga të tjerë drejtues të LSI-së, zhvillun dje një takim madhështor me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Beratit.
LSI sfidon PS-në në bastionin e saj në Berat
Mbështetje në rritje për PD-në dhe aleaten e saj kryesore në bashkëqeverisje
Partia Socialiste ka humbur përfundimisht një nga zonat e saj të sigurta elektorale, Qarkun e Beratit. Zgjedhjet e 28 qershorit dhe rritja e dukshme e PD-së dhe LSI-së tregoi qartë degradimin politik dhe humbjen e besueshmërisë së PS-së përballë elektoratit të saj. Edhe nisja e protestave, si një iniciativë personale e Edi Ramës, nuk ndikoi në rritjen e mbështetjes elektorate ndaj PS-së.
Pas mbylljes së fazës së parë të protestave, të cilat mirëfillti nuk kishin një objektiv dhe as arsye të qartë se pse po zhvilloheshin, edhe faza e dytë e iniciuar para pak ditësh, nuk është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e së parës. PS, kudo ku shkon, jo vetëm në Berat, pasi atje ka mbetur minorancë, por edhe në qytete të tjera besueshmëria ndaj saj po shkon në nivele gjithmonë e më të ulëta.
Kjo luhatje e ndjeshme e mbështetjes së Partisë Socialiste, vjen si rezultat i politikës dashakeqe dhe refraktare ndaj reformave të qeverisë.
Pretendimet e shpalosura nga Edi Rama, apo referatet e tij të përditshme përballë medieve dhe podiumeve nëpër disa qytete të Shqipërisë, kanë treguar se nuk ka asnjë bazë faktike mbi legjitimitetin e tyre dhe se gjithçka është e sajuar për interesa të ulëta politike. Dështimi Ramës në Berat ka edhe një përgjegjës, të cilit i faturohet e gjithë puna e humbjes elektorale, Erjon Braçe.
Deputeti socialist, ka mundur të realizojë një lobim spektakolar, kundër PS-së duke faktorizuar kështu së tepërmi LSI-në dhe PD-në.
Kjo lëvizje e Braçes, po bëhet gjithmonë e më e besueshme sa që edhe në takimet që ai zhvillon në disa rrugica në Berat, shkakton revoltimin e banorëve, të cilët i kujtojnë aferat e rënda për të cilat ai është përgjegjës, pasi për vite me radhë banorëve u ka përcjellë vetëm gënjeshtra, të gatuar po me aq zgjuarsi sa edhe Edi Rama aktualisht.
Megjithatë, është një lajm i mirë për mbarë shqiptarët, shfaktorizimi i klikës edviniste në një prej zonave më të rëndësishme të Shqipërisë, duke dhënë shembullin e qartë kështu, se filozofia e Edi Ramës nuk mund të shkojë shumë larg, porsa kohë askush nuk e gjen veten në të përveç Koços, Dashit, Fidelit apo edhe të ndonjë tjetër deputeti miliarder që përdor imunitetin politik, për realizimin e aferave të pista dhe ekstraligjore.