E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, shtyhet afati për miliarda lekë bono privatizimi

Braçe: Nuk është bërë këmbimi i bonove për ata që kanë paguar cash. Spaho: 1477 kërkesa janë marrë në konsideratë nga ALUIZNI

Mazhoranca dhe opozita kanë debatuar lidhur me shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit. Socialistët, edhe pse ishin pro kësaj shtyrjeje, kërkuan më shumë sqarime lidhur me përdorimin e tyre në procesin e legalizimit. Madje, deputeti Erion Braçe akuzoi administratën e agjencisë së legalizimeve se nuk po zbaton si duhet ligjin. Sipas tij, nuk janë pranuar kërkesat e qytetarëve për t’iu kthyer paratë në këmbim të bonove, në rastet kur ata kanë shlyer detyrimet cash para hyrjes në fuqi të ligjit të letrave me vlerë. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se ligji po zbatohet me korrektësi. Në rast ankesash, sipas tij, qytetarët duhet t’i drejtohen gjykatës. Bode shtoi se janë plotë 2 miliardë lekë bono privatizimi të angazhuara në procesin e legalizimeve. Ndërsa kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, theksoi se ALUIZNI saktëson se janë 1477 kërkesa të tilla që janë në proces shqyrtimi.

Debatet

Ministri Bode sqaroi se propozimi i Ministrisë së Financave për të zgjatur afatin e përdorimit dhe për një vit të bonove të privatizimet të emetuara vitin e shkuar krijon mundësinë që ato të përdoren në procesin e legalizimeve dhe në proceset e tjera të privatizimit. “Nëse bëni fjalë vetëm për procesin e legalizimit, sipas përllogaritjeve, janë rreth 2 miliardë lekë bono privatizimi që janë angazhuar në procesin e legalizimeve, ndërkohë që pritet që shuma të jetë dhe më e madhe”, - tha ai në përgjigje të pyetjeve të Braçes se sa është vlera e këtyre bonove të përfshira në procesin e legalizimit. Për sa u përket akuzave se nuk janë marrë në shqyrtim kërkesat e qytetarëve për të këmbyer bonot me lekët që ata kanë paguar para se të hynte në fuqi ky ligj, ministri tha: “Na është raportuar nga ALUIZNI që janë rikthyer dhe janë marrë në konsideratë. Nëse është thyer ligji, ai që i është shkelur e drejta, të shkojë në gjykatë”. Por, sipas Braçes, ligji nuk ngarkon gjykatën ta japë këtë të drejtë, por institucionet ligjzbatuese, veçanërisht ALUIZNI, që të garantojë këtë të drejtë. “Personat që kanë kryer pagesat për legalizim para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitojnë lehtësimin e parashikuar në këtë ligj. Për të fituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimit apo për rikthimin e shumave të paguar më parë personat të paraqesin kërkesë me shkrim brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Shqetësimi që ngrita ka të bëjë me moszbatimin e kësaj pike. Administrata nuk e zbaton. Unë kam marrë dhjetëra shqetësime nga qytetarët. Bëni mirë që shtyni afatin, por zbatoni ligjin pra këmbimin e bonove me paratë. Ndaj do kërkoja që të shtroni presion maksimal në qeveri përkundrejt kësaj agjencie për të bërë transparente gjithë kërkesat që janë depozituar atje prej muajsh dhe natyrisht për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave me shumat respektove”, - tha ai. Deputeti demokrat Spaho hodhi poshtë këto komente. Ai tha se pretendimet janë të pavërteta. “Desha të them që pretendimet që ngriti kolegu në lidhje me mosdhënien mundësi të rimbursimit të asaj kategorie, e cila ka paguar legalizimet me para në dorë dhe ligji i dha mundësinë të kërkojnë rimbusim, këto pretendime që administrata i ka penguar nuk janë të vërteta. Sapo u lidha me ALUIZNI-n dhe më informojnë se janë 1477 kërkesa të cilat të gjitha janë marrë në konsideratë dhe janë në procesin e shlyerjes. Administrata ka vepruar në përputhje me ligjin dhe e ka zbatuar atë pikë për pikë”, - deklaroi ai. Ndërkohë që deputeti socialist Arben Malaj sugjeroi që afati i bonove të privatizimit të shtyhej deri në 2015, që të mos ndryshonte çdo vit. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)”, dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.3.1995””, të ndryshuar, mori miratimin në Kuvend me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votimin e tij. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›