E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas hetimit të zgjedhjeve, "Rama gënjeshtar, të ikë"

Kuvendi miraton datën me 126 vota pro, 3 kundër. Votë kundër: Bashkim Fino, Dashamir Peza, Saimir Tahiri

Kuvendi i Shqipërisë miratoi 23 dhjetorin si datën kur do të ngrihet komisioni hetimor.

Në votimin e djeshëm, ku mori pjesë edhe opozita, deputetët e Kuvendit miratuan me 126 vota pro dhe 3 kundër datën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Votuan kundër kësaj date deputetët socialistë Bashkim Fino, Dashamir Peza dhe Saimir Tahiri. Partia Demokratike, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Socialiste, deklaroi se është e gatshme që javën e ardhshme, më 23 dhjetor, të votojë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, vetë mazhoranca është e interesuar për ngritjen e komisionit, për t’i hequr PS-së “alibinë” e saj për humbjen e zgjedhjeve. Por kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, theksoi se mazhoranca po e zvarrit qëllimisht hetimin e zgjedhjeve.

Hetimi i zgjedhjeve

Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi nga salla e Kuvendit se vonesa për caktimin e datës së ngritjes së komisionit hetimor tregon mungesë vullneti për ngritjen e tij. “Ne kemi humbur shumë kohë për këtë çështje, unë e di që 10-ditëshat e fundit të korrikut dhe të dhjetorit, siç keni lënë ju datën 23, janë thjesht sa për ta zvarritur datën e ngritjes së komisionit. Le të presim edhe datën 23, por s'ka asnjë arsye që të shtyni dhe zvarrisni datën”, - deklaroi Ruçi. Duke deklaruar se e sheh me skepticizëm ngritjen e komisionit hetimor, Ruçi u shpreh se nuk ka asnjë pengesë procedurale për ngritjen e tij, por vetëm mungesë vullneti. “Duke u nisur nga precedentët parlamentarë për kërkesat e shtruara në Parlament për ngritjen e komisioneve hetimore, nuk ka asnjë pengesë as procedurale, por pengesa është mungesa e vullnetit politik për ta zvarritur dhe këtu do të jemi për ta parë dhe për të lexuar qartë se cili është vullneti politik i munguar një vit e gjysmë. Unë thashë që e shikoj me skepticizëm, le të jetë një ëndërr e keqe, por përsëri nuk shpresoj që ju do të keni vullnet edhe në datën 23”, - tha ai. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se PD, në përgjigje të kërkesës së PS-së, deklaron se është e gatshme që javën e ardhshme, më 23 dhjetor, të votojë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai theksoi se vetë mazhoranca është e interesuar për ngritjen e këtij komisioni, për t’i hequr PS-së 'alibinë' e saj për humbjen e zgjedhjeve. “T’i japim vetes shansin që javën e ardhshme të miratojmë bashkërisht komisionin hetimor parlamentar brenda kornizave kushtetuese, sepse kërkesën që kishit sjellë, e pranuat dhe vetë kur sollët amendimet, e kishit antiligjore, antikushtetuese”, - tha Patozi. Pas këtyre deklaratave

deputetët me 126 vota pro dhe 3 kundër caktuan që në datën 23 dhjetor, të shqyrtohet në seancë plenare, kërkesa e 35 deputetëve “Për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009”. Po dje Kuvendi miratoi edhe një sërë ligjesh të rëndësishme si projektligji “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Turqisë për njësinë shqiptare që operon nën komandën e forcës turke në Afganistan, brenda fushës së veprimit të operacioneve të forcës ndërkombëtare të ndihmës për sigurinë (ISAF)”; “Për një shtesë në ligjin nr. 10.171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”; projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007, “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”; “Për një shtesë në ligjin nr. 8530, datë 23.9.1999, “Për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”; “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”; si dhe ndryshimet në ligjet fiskale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›