E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për emrat, PD e PS shtyjnë paktin për KQZ-në

 

BLEDAR HOTI

Çështja e anëtarëve të KQZ-së pritet të marrë fund brenda javës. PD dhe PS ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për kandidaturat që do të paraqitet për votimin në seancën parlamentare. Mosgjetja e konsensusit paraprak ka lënë praktikisht pezull zgjedhjen e re të KQZ-së, për shkak se dy palët kërkojnë që të miratojnë emrat me konsensus paraprak mes tyre. Kjo për të shmangur eliminimin e emrave të papëlqyeshëm për të dyja palët, maxhorancën dhe opozitën. Ndërsa përflitet se të hënën pritet të mbarojë një procedurë e tillë, për t’i votuar kandidatët në seancën e radhës. Demokratët dhe socialistët po zhvillojnë tratativa jo formale ndërmjet tyre. Në bazë të nenit 14 të Kodit, PS dhe PD duhet të paraqesin katër kandidatura për dy vendet vakante të KQZ-së. “Subjektet propozues, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozues përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura. Subjektet propozues përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini”, thuhet në pikën b të nenit 114. Mbi bazën e kësaj procedure, i bie që demokratët dhe socialistët janë të detyruar që të propozojnë katër kandidatura femra dhe katër kandidatura meshkuj, për t’u votuar më pas në seancën parlamentare. Sipas burimeve, demokratët po tentojnë që të shmangin eliminimin e kandidaturave, për të realizuar një konsensus para hedhjes për votim në seancën parlamentare. Nga ana tjetër edhe PS tenton të shmangë pakënaqësitë që mund të kenë demokratët për emrat e saj për në KQZ. Pikërisht palët do të tentojnë që KQZ-ja të zgjidhet në minutën e fundit, për të shmangur eliminimin e kandidaturave. Ndërsa mësohet se pritet që të propozohen edhe anëtarët aktualë të KQZ-së, Çlirim Gjata, Dodë Prenga, Dëshira Subashi dhe Flamur Çato. Demokratët dhe socialistët janë të mendimit se në KQZ, kur vendi ndodhet pesë muaj larg zgjedhjeve, duhet të jenë njerëz që kanë eksperiencë në fushën e zgjedhjeve. Pra ricaktimi i anëtarëve aktualë nuk përjashtohet, si nga demokratët, ashtu edhe nga socialistët. Sipas ligjit, PD-ja si parti e maxhorancës i takon që të zgjedhë kreun e KQZ-së. Demokratët duhet t’i paraqesin socialistëve katër pretendentë, për t’u skartuar dy emrave, ku dy të tjerët do të hidhen për votim në seancën parlamentare. Në bazë të Kodit Zgjedhor, Kuvendi duhet t’i zgjedhë gjashtë anëtarët e KQZ-së brenda 28 dhe 29 janarit. Ndërsa në bazë të Kodit Zgjedhor, kryetari i KQZ-së duhet të zgjidhet brenda shtatë ditësh nga votimi i 6 anëtarëve. Por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, pasi demokratët dhe socialistët nuk kanë kryer ende procedurën e përzgjedhjes së emrave që do të votohen në seancë parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›