E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosiu: Dosjet, tehu i ligjit nga drejtësia

20/02/2009  Ish-presidenti Alfred Mosiu e sheh të padrejtë penalizimin e ushtarakëve për tragjedinë e Gërdecit

“Dështimi i një rrotacioni të qetë sjell një ’97 të dytë, në kuptim jo të veprimeve, por të efektit”

Tragjedia e Gërdecit, ligji për pastërtinë e figurës si dhe anëtarësimi i vendit në NATO ishin disa nga çështjet e prekura nga ish-presidenti Alfred Moisiu gjatë një intervistë dhënë për televizionin “News 24”. Ndalur në ligjin për pastërtinë e figurës, ish-presidenti Mosiu vlerësoi se një ligj i tillë është i domosdoshëm, por është i vonuar. Ndërkohë referuar asaj çfarë konkretisht përfaqëson ky ligj i kundërshtuar nga opozita dhe nga faktori ndërkombëtar, Mosiu vuri në dukje: “Më duket se ky ligj është bërë për ca qëllime shumë më pragmatiste nga politika shqiptare, pra për të godit dhe për të tulatur drejtësinë, pasi tehu i ligjit ishte kthyer pikërisht nga drejtësia, dhe kjo të bën të të vijë keq. Sigurisht që mua nuk me vjen mirë që u bë gjithë kjo zhurmë, kur në Shqipëri të gjitha forcat intelektuale ishin kundër ligjit, dhe jo vetëm ato, pasi kundër ligjit doli e gjithë bota, KE-ja, BE-ja, OSBE-ja, SHBA-të, nuk mbeti institucion që merret me këto gjëra pa e kritikuar.” Madje, ndikimin e këtij ligji, i cili vlerësohet si mohim i shtetit ligjor, ish-presidenti e sheh të lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Këtu te ne kanë ndodhur shumë gjëra, por unë shpresoj se pavarësisht mendimeve, tendencave dhe akrobacive në zgjedhje, duke gjykuar dhe nga zgjedhjet e 2005-s, kur rrotacioni u bë në mënyrë të qetë, nga opinione të ndryshme thuhet se duhet të ketë të paktën dy rrotacione qeverish të qeta që vendi të konsiderohet një shtet i pjekur. Nëse ne do të dështojmë, kjo do të jetë një ’97 e dytë, në kuptimin jo të veprimeve, por të efektit”, - u shpreh Mosiu. Ndërsa sa i takon tragjedisë së Gërdecit ish-presidentit nënvizoi se “Gërdeci ka qenë një krim i lartë shtetëror dhe aspak nuk ka të bëjë me ushtrinë. Fajin, që duan t’ia hedhin ushtrisë është një alternativë për ta shpërndarë ushtrinë dhe është një tentativë për të futur në valle sa më shumë njerëz që të ulet përgjegjësia penale ligjore për ata që janë kryesorë në fakt.”

- Zoti Moisiu, si e vlerësoni anëtarësimin e Shqipërisë në NATO?

- Mendoj se kjo është një ditë shumë historike për shqiptarët. Është një arritje e Shqipërisë, e politikës shqiptare. Është një meritë për popullin, ushtrinë dhe për kontributin që Shqipëria ka dhënë për sigurimin e paqes në rajon si dhe në kuadrin e aktiviteteve dhe angazhimin e saj në interes të NATO-s, si në Afganistan dhe diku tjetër.

- Si t’ua shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se çfarë do të thotë anëtarësim në NATO?

- Në radhë të parë për mua NATO do të thotë të kesh disa vlera, politike, ekonomike, ushtarake. Për këto vlera të jepet konsesusi nga vendet anëtare. Në radhë të parë unë them se kontributi i Shqipërisë në sigurinë e rajonit është i madh, por ka edhe mundësi me të mëdha pas këtij anëtarësimi. E dyta, kjo ka të bëjë me të gjendjen ekonomike të vendit tonë, sepse anëtarësimi në NATO i jep një siguri ekonomike dhe investuese Europës dhe Amerikës në vendin tonë, pasi njihet si vend i sigurt, ku dominon ligji dhe ku investimet janë të siguruara. Hyrja në NATO bën që Shqipëria të jetë e sigurt nga çdo aventurë që mund të kenë vendet e tjera ndaj vendin tonë, dhe kjo nuk është pak, pasi janë vendet anëtare që ndërhyjnë në mbrojtjen e saj.

- Si ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm, sa përgjegjëse e gjeni ju ushtrinë në ngjarjen e 15 marsit, ku shpërtheu një depo në Gërdec? Së dyti, me anëtarësimin në NATO a ka nevojë për një tjetër reformë vendi ynë?

- Unë mund t’ju them një gjë që dihet: unë jam një ish-ushtarak dhe çdo gjë që ndodh në ushtri unë e ndiej dhe më dhëmb, jo thjeshtë sepse ushtria është një krenari e një vendit, por edhe për faktin se unë kam marr pjesë në të që fëmijë dhe i njoh në celula zhvillimet dhe tragjeditë që ka pësuar ushtria nga politika, dhe kjo që në kohën e diktaturës. Dihen goditjet që janë bërës gjatë diktaturës në ‘74, ‘75, ‘82, dhe këto thjesht për arsye politike dhe jo se ka pasur përgjegjësi ligjore apo se kishin shkelur ligjin. Fatkeqësisht, dua të them se edhe në periudhën e tranzicionit të stërzgjatur ushtria ka mbajtur pesha të padrejta mbi kurriz. Unë mund t’ju them se në dhjetor të ’91-shit u emërova ministër i mbrojtjes në Qeverinë Teknike dhe më vonë kam shërbyer edhe si zëvendësministër i mbrojtjes deri në gusht të ’97-s. Pra, e njoh këtë periudhë, kur vendi ynë ishte në periudhë tranformimesh të tjera demokratike. Ne atëherë kishim një ushtri shumë të madhe, mbi 70 mijë trupa nën armë, dhe një potencial armësh shumë të madh. Kishim një shtri që u shërbente pikësynimeve të asaj kohe. Mua më kujtohet se si kreu i Shtabit të Përgjithshëm kemi treguar kujdes që këto depo të mos vidheshin në atë kohë nga keqbërësit dhe ne arritën që t’i ruanim këto depo dhe nga ajo sasi e madhe ushtarakësh ne e reduktuam atë, dhe kjo ishte një detyrë shumë e vështirë. Ata ishin rritur në ushtri, kishin që 15 vjet që ishin në këtë detyrë dhe nuk kishin asnjë profesion tjetër. Në këto kushte, u krijua një situatë shumë e rëndë në ushtri dhe kemi përballuar shumë vështirësi në atë kohë për t’i bindur njerëzit për rrugën që duhej të ndiqej. Unë jam deklaruar disa herë se për mua Gërdeci ka qenë një krim i lartë shtetëror dhe aspak nuk ka të bëjë me ushtrinë. Fajin që duan t’ia hedhin ushtrisë është një alternativë për ta shpërndarë ushtrinë dhe është një tentativë për të futur në valle sa më shumë njerëz, që të ulet përgjegjësia penale ligjore për ata që janë kryesorë. Unë mund t’ju them se kalimi i demontimit të municionet nga uzinat ushtarake në duart e privatëve është e qartë se është bërë për qëllime të caktuara të përfitimit ekonomik nga ata që ishin në krye të ushtrisë, sepse shumë mirë mund të shtrohet pyetje: pse tani u kthye ashtu siç ka qenë më parë? Kjo do të thotë se nuk mund të vazhdonin më në atë rrugë, sepse ajo rrugë mori erë. U kuptua cili ishte qëllimi i privatizimit të procesit të demontimit. Ai ishte një vendim politik dhe për të nuk janë pyetur fare ushtarakët, s’i pyeti njeri dhe unë e di se ushtarakët kanë një rregull, që thotë “si urdhëron” dhe ata ndryshe duhet të largoheshin nga puna, ata mund të thonë mendimin e tyre, nëse nuk janë dakord, por deri këtu shkon, më tej e ka në dorë eprori i tij që të marrë vendimin, dhe eprorët janë politikanë, ministri apo edhe kryeministri. Unë jam deklaruar edhe herë të tjera se ushtarakët kanë vetëm një përgjegjësi: ata duhej të bënin më shumë zhurmë për një gjë të tillë, sepse Gërdeci po del e qartë se atje nuk futej as ushtria, as SHISH-i, as SHIU, as tatimorët. Ishte një ishull 15 km larg kryeqytetit, i cili ruhej në fshehtësi të madhe, nën masa të rrepta, dhe nuk do të ishte marrë vesh kurrë, në rast se nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi, duke u marrë jetën 25 personave të pafajshëm. Unë mund të them se është vërtet për të ardhur keq, sepse shqiptarët janë në amnezi. Një i ri u vra në Greqi dhe Greqia zjeu. Sigurisht që unë nuk jam për gjëra të tilla, se ne i kemi provuar, por që edhe të rrimë në këtë mënyrë, që ne të na fluturojnë dhe ata që janë fajtorë t’i shohim duke na u kapardisur për të akuzuar të tjerët, kjo nuk është normale. Ky është një turp për politikën shqiptare, sepse mburret se ministri i mbrojtjes dha dorëheqjen. Ky është një veprim që ai duhej ta kishte bërë që në çastin e parë. Këtu edhe Kryeministri ka përgjegjësinë e tij. Unë nuk mund të them se deri ku shkon përgjegësia e tij, por nuk diskutohet që ai ka përgjegjësi. Pra, këtu kemi të bëjmë me një krim të lartë qeveritar dhe kaloi përgjegjësia tek ushtarakët. Pikërisht këta ushtarakë, që kanë sjellë vlerësimet nga NATO-ja për reformat e bëra në ushtri. Nëse nuk do të kishte ndodhur ’97-a, ne do të ishin në NATO prej kohësh, dhe unë e di shumë mirë këtë punë. Unë dua t’ju them se Gërdeci nuk ka të bëjë fare me performancën e ushtrisë shqiptare. U bë shumë mirë që u vendos që demontimi të bëhet nga ushtria shqiptare dhe në magazinat e saj.

- Si e vlerësoni faktin që ndër të akuzuarit është vetëm ministri i mbrojtjes dhe pjesa tjetër janë ekspertë ushtrie?

- Unë nuk e kam ndjekur punë e prokurorisë, por unë mendoj se ne kemi nevojë që të na jepet një shembull drejtësie dhe të përgjigjet para drejtësisë ai që duhet të përgjigjet, koka dhe jo bishtat. Deri tani ne jemi marrë me bishta dhe shpërndarja e përgjegjësisë në më shumë se 20 persona është për të humbur gjurmët e përgjegjësve. Është e domosdoshme që të vihen para drejtësisë autorët e vrasjes së 26 njerëzve, që nuk ishin 26 kunguj. Unë shpresoj që më 28 qershor qytetarët ta thonë fjalën e tyre.

- Zoti Moisiu, si ju duket debati që po zhvillohet për ligjin e dosjeve si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e tij?

- Ky ligj është i domosdoshëm, por është i vonuar. Unë nuk e di pse nuk është bërë në kohën e vet, por dua të them se ky ligj jo vetëm që duhet bërë. Por në këtë mënyrë që u bë duket qartë se ka një shmangie nga qëllimi kryesor për të cilin e kanë bërë edhe disa vende të tjera. Më duket se ky ligj është bërë për ca qëllime shumë më pragmatiste nga politika shqiptare, pra për të goditur dhe për të tulatur drejtësinë, pasi tehu i ligjit ishte kthyer pikërisht nga drejtësia, dhe kjo të bën të të vijë keq. Sigurisht që mua nuk me vjen mirë që u bë gjithë kjo zhurmë, kur në Shqipëri të gjitha forcat intelektuale ishin kundër ligjit, dhe jo vetëm ato, pasi kundër ligjit doli e gjithë bota, KE-ja, BE-ja, OSBE-ja, SHBA-të, nuk mbeti institucion që merret me këto gjëra pa e kritikuar. Vetëm këmbëngulja e qeverisë ishte deri në fund, megjithëse besoj se e ka kuptuar se nuk ka qenë në rregull. Fakti që Gjykata Kushtetuese e pezulloi këtë ligj deri në shqyrtimin e plotë të tij në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, mua më kënaqi, sepse në radhë të parë, një pjesë të tyre i kam emëruar unë kur kam qenë në krye të shtetit. Më erdhi mirë, sepse ata qëndruan në krye të detyrës dhe ata me siguri që kanë pasur presione, shantazhe, por ata e treguan veten vërtet juristë të një shkalle të lartë. Këtë gjë e ka vlerësuar edhe Këshilli i Europës në deklaratën e menjëhershme që bëri pas vendimit të Gjykatës. Por mua më bëri përshtypje deklarata e Kryeministrit se “unë do ta respektoj vendimin e Gjykatës”. Kjo është e pakuptueshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është absolut për këdo, dhe kjo tregoj se edhe mund të mos e zbatosh këtë vendim. Këtij i thonë shtet tribal, kur shkohet me këto koncepte.

- Sa e rrezikshme është një gjë e tillë?

- Kjo tregon se ka akoma tendenca të gjalla dhe të rrezikshme për të mohuar shtetin ligjor.

- A do të ketë ndikim në zgjedhjet?

- Këtu te ne kanë ndodhur shumë gjëra, por unë shpresoj se pavarësisht mendimeve, tendencave dhe akrobacive në zgjedhje, duke gjykuar edhe nga zgjedhjet e 2005-s, kur rrotacioni u bë në mënyrë të qetë, dhe nga opinione të ndryshëm thuhet se duhet të ketë të paktën dy rrotacione qeverish të qeta që vendi të konsiderohet një shtet i pjekur. Nëse ne do të dështojmë, kjo do të jetë një ’97 e dytë, në kuptimin jo të veprimeve, por të efektit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›