E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jala, qeveri-opozitë debate në Kuvend

20/02/2009  Projekti i bregdetit, ministrat akuzojnë për mashtrim, PS i kërkon prokurorisë të hetojë

Bode garanton dëmshpërblimin e të dëmtuarve në kundërshtim me ligjin

Albana Lika

Deklarata e fundit e Bordit të Guvernatorëve të Bankës Botërore lidhur me projektin në bregdetin e Jugut ka shkaktuar debate në Kuvendin e Shqipërisë mes opozitës dhe qeverisë. Të njëjtën deklaratë, të lexuar në mënyrë të kundërt nga njëri-tjetri, palët e kanë përdorur për t’i dhënë të drejtë vetes në deklaratat e deritanishme për këtë çështje. Ndërsa opozita i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë mbi këtë çështje, ku sipas saj është përfshirë qeveria shqiptare, përfaqësuesi i saj, ministri i Transportit Sokol Olldashi, duke përdorur citimet e deklaratës tha se askush nga zyrtarët e qeverisë nuk është hetuar apo hetohet për korrupsion.

Opozita

Për deputetët e opozitës deklarata e Bordit të Bakës Botërore shënon fillimin e procesit të hetimit rreth kësaj çështjeje. Numri dy i grupit vendor të PS-së, Erion Braçe, tha se çështja, pavarësisht nga ç’duket, nuk mund të konsiderohet e mbyllur. “Hetimi i kësaj çështjeje tani po fillon dhe do të përfshijë një gamë shumë të gjerë problematike të kësaj çështjeje. Ashtu siç çështja nuk mund të konsiderohet e mbyllur nga ana e qeverisë për aq kohë sa në paragrafin më poshtë thuhet se projekti u pezullua nga ekipi i menaxhereve më datë 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës, ose për anulimin e plotë të tij”, - tha Braçe.

Qeveria

Nga pala e qeverisë shqiptare në reagim të opozitës është përgjigjur ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili, pasi citoi pjesë nga deklarata, u kërkoi kundërshtarëve politikë të kërkonin falje për të gjitha trillimet dhe gënjeshtrat që kanë thënë deri tani. “Këtu është e shkruar e zezë mbi të bardhë se ‘askush nga zyrtaret e qeverisë apo nga anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion”, - tha ai. Edhe ministri i Financave Ridvan Bode kritikoi opozitën për “akuzat-tullumbace”, siç i quajti ai. Ai përmendi gjithashtu citime nga deklarata ku përjashtohen zyrtarët e qeverisë nga hetimi, si dhe garantoi se qeveria do të dëmshpërblejë banorët që pretendojnë se shtëpitë e tyre janë prishur në kundërshtim me ligjet shqiptare në fuqi. “Qeveria shqiptare mbetet e hapur për të trajtuar sipas ligjeve shqiptare të gjithë ata individë që pretendojnë se ndërtimet e tyre janë prishur në dhunim me ligjin shqiptar. Sigurisht që qeveria mbetet gjithashtu e ndjeshme edhe ndaj rasteve që kanë pasur pasoja dhe kanë çuar familje në varfëri, sipas kritereve të ndihmës ekonomike për të përfshirë në këtë trajtim të gjitha familjet që për shkak të ndërtimeve pa leje janë në gjendje jo të përshtatshme ekonomike dhe financiare”, - deklaroi ministri Bode.

Taulant Balla

“Drejtësia shqiptare të hetojë”

Deputeti i PS-së Taulant Balla u kërkoi dje institucioneve shqiptare të drejtësisë që të nisin një hetim për përgjegjësin për koordinimin e projektit të financuar nga Banka Botërore Jamarbër Malltezi dhe për qeverinë shqiptare. “Kemi të drejtën legjitime, por dhe morale t’u kërkojmë institucioneve të drejtësisë në vend, Prokurorisë së Përgjithshme, që ashtu siç bëri Banka Botërore përmes strukturave të saj, fillimin e hetimit, këtu duhet të fillojë një hetim dhe për strukturat qeveritare shqiptare”, - u shpreh Balla. Deputeti i PS-së përfundoi duke theksuar se vendimi i para dy ditëve duket se urdhëron hetim për zyrtarët e Bankës Botërore në Shqipëri dhe e lë në dorë të drejtësisë shqiptare fatin e hetimit për Jamarbër Malltezit si drejtues i njësisë së projektit të menaxhimit të bregdetit jugor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›