E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjislacioni për pronat, Mungesë transparence dhe konsultimesh

Tiranë- Duket se ka një mungesë transparence dhe konsultimesh në hartimin e legjislacionit për pronat, dhe derisa të mungojë gjithëpërfshirja kjo çështje nuk do marrë dot një zgjidhje. Kështu është shprehur në një intervistë për ‘Deutsche Welle’, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

Një tjetër shqetësim përbëjnë pretendimet e pazgjidhura të ish pronarëve për kompensim apo kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të mëparshëm. Deri më tani, shumë pak ish pronarë kanë parë zgjidhje të kërkesave të tyre. Procesi është ngadalësuar nga një debat lidhur me autoritetin e agjencisë përgjegjëse për çështjen e pronave. Duket se ka edhe një mungesë transparence dhe konsultimesh në hartimin e legjislacionit të pronave. Nevojitet një përforcim i koordinimit midis Qeverisë dhe agjencive përkatëse sepse aktualisht shohim një mungesë të panevojshme efiçence dhe mbivendosje përpjekjesh Mungesa e një kuadri strategjik ka çuar në planifikim të dobët dhe në ndarje të pamjaftueshme të buxhetit të nevojshëm për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit të pronave- vijoi më tej ambasadori.

Ambasadori deklaroi se problematika e pronës nuk do të marrë një zgjidhje sa kohë s’ka gjithëpërfshirje, duke  shtuar se mosgarantimi i pronësisë përbën një pengesë për investimet private dhe publike dhe huadhënien.

Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë progres në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të reformës së pronës. Strategjia nevojitet gjithashtu për të ofruar siguri, për të shmangur konfliktet dhe për të formuar bazën e zhvillimit ekonomik. Strategjia duhet të krijojë një vizion të qartë dhe gjithëpërfshirës. Ajo duhet të krijojë dhe të reflektojë konsensus publik në lidhje me qëllimin e dëshiruar të reformave, dhe të përcaktojë hapa konkretë dhe një afat kohor të arsyeshëm dhe realist për përmbushjen e këtij qëllimi. Edhe pse një strategji nuk mund të kënaqë të gjithë partnerët, ajo duhet të përfaqësojë një kompromis të aktorëve të përfshirë për të pasur reforma të qëndrueshme- tha kreu i OSBE-së në Tiranë.

I pyetur për ecurinë  e reformës zgjedhore në vendin tonë, Wollfarth theksoi se përmbajtja e kësaj reforme është gjëja më e rëndësishme. Reforma zgjedhore nevojitet të mbarojë në kohë dhe para zgjedhjeve, dhe për këtë duhet treguar një vullnet edhe më i madh politik.

Nevojitet që reforma të përfundojë në kohë dhe mjaft para zgjedhjeve. Duhet treguar një vullnet edhe më i madh politik. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën e Kodit Zgjedhor po punon dhe progresi i kësaj pune po bëhet i dukshëm. Megjithatë, është e nevojshme që ky proces të përshpejtohet dhe intensifikohet sepse kanë mbetur ende një sërë çështjesh thelbësore për t’u diskutuar. Ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja! Për këtë arsye nevojitet një përfundim në kohë por edhe cilësor i këtij procesi, që vjen si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët- tha Wollfarth.

Teksa ka nënvizuar se ‘veprimet e marra në minutën e fundit nuk janë asnjëherë të mira mjaftueshëm dhe kësaj here nuk do të funksiononte!. I pyetur për raportet ndërkombëtare për perceptimin e publikut shqiptar lidhur me luftën kundër korrupsionit Wollfarth shtoi se pavarësisht punës së bërë, sidomos me miratimet në Kodin Penal, problematike mbetet ende problem çështja e hetimit të zyrtarëve të lartë shtetëror të akuzuar për korrupsion për shkak të mungesës së ndjekjes së mëtejshme nga Prokuroria.

‘Një historik më i mirë vendimesh gjyqësore dhe dënimesh të përshtatshme dhe/apo gjobash për rastet e zyrtarëve të lartë shtetërorë të përfshirë në korrupsion do të ishte i nevojshëm për rivendosjen e besimit të publikut. Së fundi, lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses kur të gjitha palët politike të punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin këtë luftë për interesat e tyre vetjake- theksoi ambasadori.

Ndërka lidhur me mundësitë për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë, Wollfarth u shpreh se do të arrihet progres i konsiderueshëm duke nënvizuar se do dëshiroj të them se për të ecur përpara me axhendën e reformave nevojitet një zgjidhje vendimtare dhe bashkëpunim konstruktiv për të gjitha fushat kryesore të reformës me dhe brenda në Parlament i cili është mekanizmi për një vendimmarrje të përbashkët, dhe ky mbetet një tregues vendimtar nëse Shqipëria do të ecë përpara apo jo.

Gjatë intervistës Wollfarth ka shtuar se OSBE po ndjek nga afër punën që po bëhet për reformen zgjedhore duke shtuar se ekspertët e OSBE-së do të diskutojnë me grupet e interesit javën e ardhshme.

Në javën e ardhshme Prezenca do të ndihmojë Komisionin e Posaçëm me organizimin e një tryeze të rrumbullakët të rëndësishme për reformën e kodit zgjedhor ku do të marrin pjesë deputetë, politikanë, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Jam i bindur se do të jetë një tryezë shumë pozitive dhe e suksesshme- tha më tej Wollfarth.

Gjatë kësaj jave qeveria shqiptare i dorëzoi planin e veprimit shefit të Zgjerimit në KE, Stefano Sanninos, teska ky i fundit deklaroi se me gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve Shqipëria nuk do të dështojë në rrugën e saj drejt familjes europiane.

Dorina Bilbili/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Ligji i “plehrave”, Wollfarth: Duhet në shërbim të komunitetit dhe mjedisit Shkodër- Eugen Wollfarth, kreu i misionit të OSBE-së në Shqipëri...
  2. Kodi Zgjedhor, Wollfarth: Reforma e nisur, hap pozitiv për demokracinë Tiranë- Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth...
  3. Wollfarth: Arsimimi, hallkë drejt formimit qytetar Tiranë- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka deklaruar...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›