E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësi për kreditorët e ish-bankave shtetërore

12/06/2009  Përcaktohen afate të reja

Qeveria ka miratuar lehtësi për kreditorët e ish-bankave shtetërore. Me një vendim të miratuar dje në Këshillin e Ministrave është shfuqizuar vendimi i korrikut të një viti më parë për faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, duke përcaktuar afate të reja për ata persona që tashmë rezultojnë debitorë ndaj Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, ata persona që do të shlyejnë principalin për një kredi të marrë deri në 3 milionë lekë, prej majit deri në shtator të këtij viti do të përfitojnë një reduktim të interesit, gjobës, apo kamatëvonesës prej 95 për qind. Vendimi përcakton me detaje afatet që kanë këta persona për të shlyer pagesat deri në vitin 2010. Vendimi parashikon kështu kushte të reja lehtësuese për ndryshimin e marrëveshjes së kredisë me debitorin. “Për debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat, e kanë pasur shumën e principalit deri në 3 milionë lekë parashikon faljen në masën 95%, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj-shtator 2009, faljen, në masën 90% të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën shtator-dhjetor 2009, faljen në masën 80% të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën janar-qershor 2010, faljen në masën 60% të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin pas muajit qershor 2010”, - përcakton vendimi. Periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se 1 një vit, nga data e lidhjes së kontratës së re. Këto kushte janë të vlefshme edhe për të gjithë debitorët, që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore, si autokombajna, traktorë, makineri e agregate bujqësore, prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale, linjë prodhimi dhe përpunimi të produkteve, bujqësore dhe blegtorale dhe mjete të transportit. Sipas kushteve të mësipërme, do të bëhet falja e interesave, kamatëvonesave dhe gjobave, edhe për këto raste. Ndërsa për kreditë me principal të transferuar mbi 3 milionë lekë, sipas vendimit, periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se dy vjet nga data e lidhjes së kontratës së re. Për këtë kategori debitorësh kushtet janë të ndryshme. Nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj- shtator 2009 atyre do t’u falet në masën 85 për qind interesat, kamatëvonesat dhe gjobat. Vendimi parashikon me radhë edhe kushtet e tjera për këtë kategori. Nga ana tjetër, qeveria u ka falur të gjitha detyrimet e transferuara nga bankat, të përbëra vetëm nga interesa, penalitete apo kamatëvonesa. Ndërsa debitorët, të cilëve u kanë përfunduar procedurat e shitjes së kolateralit dhe vazhdojnë të jenë debitorë të ATK-së, u kërkohet likuidimi vetëm i 50 për qind të detyrimit të mbetur pas ristrukturimit. Nga ky vendim me kushte favorizuese përfitojnë edhe debitorët, që kanë lidhur kontrata ristrukturimi, para datës 30.4.2009. Në këtë vendim janë parashikuar edhe procedurat për marrjen në pronësi të pasurie të lëna si garanci ose jo nga debitorët. Agjencia e Trajtimit të Kredive do të marrë në administrim dhe ka të drejtë të shesë ose të japë me qira këto pasuri.

Kreditë për banesa

Vendimi parashikon lehtësi edhe për debitorët, që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit. Ata që ndodhen në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Sarandës, Fierit dhe Vlorës, sipas vendimit, do t’u falet 80 për qind e interesit, kamatëvonesës dhe gjobës, ndërsa për debitorët me vendndodhje në të gjitha bashkitë e tjera falja do të bëhet në masën 100 për qind të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave. Vendimi thekson se periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet nga data e lidhjes së kontratës së re. Llogaritja e detyrimit të ri do të bëhet me normën e interesit 10 për qind në vit, me përjashtim të kredive, që në marrëveshjen ekzistuese të huasë, e kanë normën e interesit më të ulët. Vendimi përjashton faljen e detyrimeve të transferuara nga bankat, për shpenzime gjyqësore dhe përmbarimore. Ndërsa trashëgimtarëve të debitorëve, të cilët kanë vdekur, u kërkohet të likuidojnë vetëm shumën e principalit të mbetur, për jo më shumë se 3 vjet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›