Mirditë, çarja e malit rrezikon 4 shtëpi
MIRDITË - Katër shtëpi në fshatin Klos të komunës Fan rrezikojnë shembjen pasi prej tri ditësh, masivi i malit u rri kërcënueshëm mbi krye, ndërsa “baza” e tij ka pësuar çarje të thellë afro 1 metër. Kjo gjë ka ndodhur pas hapjes së një rruge që lidh këtë fshat me qendrën e komunës nga kompania ndërtuesee autostradës Rrëshen-Kalimash, Bechtel-Enka. Sipas familjarëve që banojnë në këto shtëpi, masivi i malit i dha shenjat e rrëshqitjes masive para tri ditësh, duke filluar nga një çarje e lehtë disa centimetra, ndërsa më pas është thelluar për tri ditë thuajse 1 metër. Janë katër familje të cilat tashmë gjenden të izoluara nga komuna dhe aksi kryesor dhe nën trysninë e përditshme psikologjike nga frika e rrëshqitjes së malit dhe përpirjen e shtëpive. Petrit Frroku, që është dhe kryeplak i fshatit, tha për “Shekulli”-n se kjo çarje nuk është e papritur. “Prej një viti jetojmë nën tmerrin e plasjeve me dinamit me fuqi të lartë, që ka sjellë plasaritjen e mureve të shtëpisë, thyerjen e xhamave, shembje tavaneshe dëmtime të tjera, por askush nuk i është përgjigjur shqetësimit tonë”, thotë Frroku. Për të njëjtat probleme flasin dhe pjesëtarët e familjeve të Ndue, Paulin dhe Kujtim Frrokut. Por, nëse deri para tri ditësh bëhej fjalë për çarje tavanesh e muresh, tashmë rreziku është shumë i frikshëm, duke pritur nga momenti në moment përpirjen e shtëpive nga masivi i malit, që mund të shembet i tëri. I kontaktuar në telefon, kryetari i komunës, Gjergj Prenga, thotë se “e njohim problemin dhe për këtë kemi kontaktuar banorët, duke dërguar dhe specialistët tanë atje, duke vëzhguar situatën, të cilën ua kemi përcjellë dhe ndërtuesve të rrugës, kompanisë Bechtel-Enka, për të gjetur rrugën e zgjidhjes”. Sipas kryetarit të komunës Prenga, drejtuesit e kompanisë janë përgjigjur se do të bëjnë ndërhyrjet e duhura për të shmangur dëmin e shkaktuar për shkak të hapjes së rrugës së re që do të lidhte fshatin me qendrën e komunës. Por banorët ndihen të rezervuar nëse do t’u zgjidhet ky problem që mund të kthehet në tragjedi, pasi, edhe kur janë ankuar për plasjet e mëdha, askush nuk është kujdesur për zhdëmtimin. Ata kërkojnë një zgjidhje të plotë, dhe jo retushime të rrugës, por ndërhyrje duke bërë studimet gjeologjike të vendit të shembur, si dhe të trojeve ku ata i kanë shtëpitë, për t’u dhënë siguri banimi në ato troje.