E Hënë, 2 Nëntor 2026

Videodipendenca dhe videokultura

10/03/2005  Megjithëse ende nuk klasifikohet, por, për mendimin tim, fenomeni i lidhjes dhe varësisë së njeriut të sotëm nga televizioni është, një fenomen masiv, një nga sëmundjet e lirisë. Televizioni, është një fenomen i madh, masiv dhe kompleks. Në epokën tonë, kultura e televizionit është bërë dominante, ajo superon mbi shumë forma të tjera të transmetimit kulturor. Ai është bërë libër, kinema, sallë teatri, fushë futbolli dhe ka gllabëruar si oktapod kulturor njeriun e sotëm.

Televizioni, për shkak të epërsisë, shpejtësisë e saktësisë së transmetimit të ngjarjeve të paimagjinueshme kohë më parë: e ka bërë globin sa një fshat, ka mundësuar që njerëzit që jetojnë mijëra kilometra larg nga njëri-tjetri, të shikojnë të njëjtat ngjarje dhe të dridhen në të njëjtat emocione, pavarësisht nga gjuha, kombi, raca apo besimi politik.

Këto epërsi të televizionit, janë dukuri evidente edhe në Shqipëri. Megjithëse i futur në rrugët e qarkullimit, më vonë se vendet e tjera evropiane, televizioni është bërë faktor dominant kulturor, argëtues e informativ për familjet shqiptare.

Është tepër i madh, numri i njerëzve që konsumojnë sasi të konsiderueshme orësh, çdo ditë para ekranit të vogël, që konsumojnë me objektiv kulturor, synim profesional apo kalim kohe, për argëtim, i cili është bërë komponent me rëndësi për jetën e njeriut modern.

Sidomos në vendi tonë, në ketë periudhë tranzicioni, një pjesë e madhe e njerëzve, sidomos e grave, që nuk janë në marrëdhënie punë, e të moshuarve dhe të rinjve, koha e qëndrimit para televizionit është e madhe.

Pa asnjë dyshim, në Shqipëri, sot ka grupe sociale, kategori moshore, të cilat janë të obseduar mbas emisioneve të larmishme kulturore, historike, politike, propagandistike, muzikore, pornografike, që transmetohen non stop, në dhjetëra kanale televizive, që bombardojnë pa pushim me informacion njerëzit, konsumatorët e saj.

Këto shtresa, për shkak të kohës së lirë që kanë në dispozicion, të mungesës së obligimit social, në veprimtarinë prodhuese apo shoqërore publike, kalojnë kohën duke qenë mbartës i një dukurie të re sociale që është, videodipendenca. Në të njëjtën kohë, televizioni është bërë për shumë njerëz, i vetmi mjet kontakti kulturor, duke spostuar forma dhe instrumente të tjerë, të domosdoshëm. Po krijohet gradualisht, tipi i njeriut që ka kulturë të marrë vetëm përmes televizionit. Kështuqë, tashmë produkti i videopendencës, i qëndrimit në mënyrë të vazhdueshme para ekranit është krijimi i videokulturës.

Sociologët e kohës tonë, e konsiderojnë videopendencën dhe videokulturën si sëmundje sociale dhe devijim jonormal kulturor dhe social. Ata thonë se, po jetojmë epokën tonë, duke dalë nga “ bota e gjërave te lexuara” për të hyrë në botën e "gjërave të para". Televizioni është mjet që ka forcë detyruese dhe të bën të shikosh.

Nuk ka njeri normal, në kohën moderne, që të mos jetë i lidhur me interesa të ndryshme me këtë mjet polivalent kulturor shtëpiak, me këtë burim informacioni dhe koncentrat vlerash. Prandaj, entuziastët e videokulturës e kanë konsideruar me të drejtë televizionin, risi kulturore, revolucion që ka krijuar superioritet mbi të gjitha format e tjera të transmetimit kulturor. Ai është bërë sot mjeti më i shpejtë, i informimit kulturor për njeriun e qytetëruar të kohës tonë.

Nuk është më koha e njeriut me horizont të kufizuar kulturor dhe gjeografik, që e njihte botën brenda kufijve të kufizuar të vendlindjes apo e shumta të vendit të tij dhe nëpërmjet disa librave që lexonte gjatë jetës. Në kohën tonë, televizioni ka thyer të gjitha barrierat kulturore, gjuhësore, hapësinore e gjeografike, duke krijuar komoditetin e mrekullueshëm, që të mësosh për çdo gjë, kudo që ndodh dhe shumë shpejt.

Është e vështirë që sot bota kulturore të mos kalojë me shpejtësinë e dritës, përmes valëve televizive kudo, në çdo familje, në çdo cep të globit.

Për ne, shqiptarët, megjithë startagjemat izoluese të regjimit komunist, televizioni ka qenë i vetmi kontakt, i vështirë për të censuruar plotësisht, i vetmi kanal i qarkullimit të kulturës, ideve, ngjarjeve dhe informacionit të botës perëndimore. Sepse të tjerat kanë qenë plotësisht të censuruara. Ka qenë e vështirë për këdo, të mund të kishte mundësi të lexonte libra, vepra dhe kryevepra, sidomos të mendimit politik, social dhe filozofik, të letërsisë dhe të rrymave moderne bashkëkohore. Me një fjalë, televizioni ka qenë “ganxha qytetëruese”, me të cilën shqiptarët ruajtën të kultivuar identitetin evropian të tyre.

Televizioni ka qenë mundësia e vetme, e cila realizoi procesin e ekuivalentimit kulturor dhe të aklimatizimit qytetar të rinisë shqiptare, e cila u integrua pa sforcim në vendet evropiane, pas shpërthimit të mureve dhe thyerjes së politikës së vjetër izolacioniste. Madje, televizioni ka qenë një faktor i madh i përshpejtimit të procesit të “zgjimit” të verbit qytetar dhe demokratik të popullit tonë dhe të popujve të tjerë në vendet ish- komuniste të Evropës, të mbuluar me perden e hekurt informative dhe murin ndarës të Berlinit, nga perëndimi.

Ideologët e shquar të kohës sonë, me të drejtë vlerësojnë se "teleshikimi" i ngjarjeve në Gjermani, kalimi i gjermanolindorëve, përmes Hungarisë në perëndim, pushkatimi i Nikolai Çausheskut në Rumani etj., të para çdo ditë në televizion, i dha spunto procesit të rrëzimit të shpejtë të diktaturave, sipas modelit imitues të protestave të shikuara, përmes televizionit. Me fjalë të tjera, nuk mohohet roli i televizionit në këtë proces të madh çlirues, nga robëria komuniste.

Mirëpo, fenomeni i videodipendences, varësia e njerëzve nga televizioni, obsedimi televiziv dhe krijimi i njeriut me kulturë vetëm përmes emisioneve të tij, do të jepte edhe kundërefektin e vet. Sado i madh dhe modern të jetë informacioni televiziv dhe videokultura e njerëzve që e konsumojnë, papushim atë, është i vështirë të zëvendësojë kulturën, në konceptin historik dhe sociologjik të saj.

Videokultura është e nevojshme, por jo pa sens mase. Nuk është televizioni mjet i mirëfilltë i kulturës së plotë, dhe aq më pak i kulturës sistematike profesionale. Nuk e realizon dot televizioni atë detyrë që kryen letërsia, shkenca, libri, eksplorimi, studimi, eksperimenti, prodhimi. Fenomeni i zëvendësimit të “njeriut që di” me “njeriun që vetëm shikon” gjithë ditën pasivisht emisione televizive, është padyshim devijancë e deformacion kulturor, me pasojë në formimin integral të njeriut.

Nuk është vështirë të diktosh në vendin tonë krijimin e një vakuumi të ndjeshëm kulturor të njerëzve, që mbivlerësojnë mundësinë e kulturimit vetëm në rrugën e të parit televiziv, që kanë abandonuar format e tjera të kulturimit intensiv e sistematik.

Telekultura ka filluar të dominohet nga fragmentizimi i njohurive, vaniteti i subjekteve të telenovelave limonatë dhe të politikës konsumistike të detyruar, ditore. Sidomos këto pasoja janë evidente, për brezin e ri të adoleshentëve, për të cilët tendenca e largimit nga libri dhe studimi sistematik do të jetë fatal, për integritetin e personalitetit të tyre.

Padyshim, televizioni ka mundësi të gjera për të qenë atraktiv. Ai ka mundësi dhe kapacitete estetike komplekse që prodhojnë dukurinë e videodipedencës. Potenciali estetik dhe informativ, mënyra e lehtë e transmetimit dhe komoditeti i përvetësimit të tij me lehtësi i bën njerëzit të jenë në bombardimin dhe peshën e figurës dhe të të parit.

Doemos, libri është i ftohtë dhe nuk i ka mundësitë emocionale, që ka televizioni. Ai është vërtet i mirë për argëtim, për shikim për pjesën e lirë të kohës. Por nuk është gjithçka, nuk është i vetmi mjet kulturor. Nuk e zëvendëson dot në jetë njeriun që di, që mëson, që punon, njeriu që vetëm shikon, qesh dhe argëtohet pasivisht përpara ekranit.

Televizioni ka edhe vlera dhe mundësi të gjera informative. Por, nuk është i gjithë informacioni që i duhet njeriut vetëm ai që jepet përmes ekranit.

Eshtë shumë i pakët, më i cekët dhe josistematik, në krahasim me gazetat dhe veçanërisht me librin. Prandaj sociologët e shquar, modernë e të kohës tonë, kanë dhënë alarmin për të ekuilibruar kanalet kulturore, me të cilat kultivohet njeriu modern, pa mbivlerësuar dhe nënvlerësuar askënd.

Por, sidoqoftë, ata për një gjë flasin me siguri dhe thonë, se "syri nuk është mendja". Televizioni i kthen problemet në figurë, por kur figura nuk rikthehet në probleme, syri e ka mendjen, sepse, vetëm të parët nuk na ndriçon aspak për mënyrën se si duhen vlerësuar, përballuar e zgjidhur problemet, ka shkruar profesori i Universitetit "Columbia" i Nju Jorkut, politologu i madh, Xhovani Sartori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›