E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i ri “përplas” peshkatarët e Durrësit me kryebashkiakun



DURRES- Përplasje të forta mes peshkatarëve durrsakë dhe kreut të bashkisë Vangjush Dako. Pikëpamjet e kundërta për ngritjen e portit të ri të peshkimit si dhe koha që po i skadon investimit arab me vlerë 15 milion dollarë, kanë bërë që peshkatarët të ngrenë zërin kundër kryebashkiakut. Në disa momente tensioni, uniformat blu të bashkisë rrethuan turmën. “Me pretendimin se porti i ri i peshkimit, i projektuar për tu ndërtuar ngjitur me murin ekzistues të portit, ndot mjedisin, Dako luan me “tezën ambjentaliste”. Kryebashkiaku prej kohësh nuk e mbledh KRRT-në e bashkisë, vetëm për të skaduar afatet, në mënyrë që sheshi të mos marrë leje ndërtimi. Në institucionin e KRRT-së Dako nuk ka më fuqi vendimmarrëse, pasi ka një votë më pak se të djathtët, ndaj jo vetëm që nuk e kalon për votim këtë procedurë, por as nuk e thërret atë për mbledhje”, u shprehën dje peshkatarët protestues para bashkisë së qytetit. Ata i kërkuan këtij institucioni të marrë në shqyrtim kërkesën për lejen e sheshit të ndërtimit të portit të ri. Peshkatarët akuzuan bashkinë se po bëhet pengesa kryesore për këtë projekt madhor me interes mbarëkombëtar. Pak minuta më vonë ka marrë takim me ta edhe kreu i bashkisë Vangjush Dako. Por midis tyre nuk është gjetur gjuha e mirëkuptimit, madje tonet kanë qenë aq të forta saqë është thirrur për ndihmë policia bashkiake. Kreu i bashkisë i qëndron idesë për të mos u ndërtuar porti i ri i peshkimit në shëtitoren bregdetare me justifikimin se ka ndotje të madhe mjedisore të qytetit, ndërsa peshkatarët kërkojnë që të nisë nga puna menjëherë ky projekt. Ata e akuzuan Dakon se po përdor të gjitha format për të penguar industrinë e peshkimit në qytetin bregdetar. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›