E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet në Shkumbin peshkatari



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Denoncohet si i zhdukur peshkatari 50-vjeçar, e gjejnë në lumë me një plumb në gjoks. Dilaver Peqini u zbulua pas 48 orësh nga largimi në ujërat e Shkumbinit. Fillimisht u dyshua për një mbytje aksidentale, por u desh ekspertiza mjeko-ligjore që të zbardhej dhe shkaku i vdekjes. Sipas policisë, Peqini mund të jetë vrarë, ndonëse nuk përjashtohet dhe pista e vetëvrasjes, përderisa nuk ka ende prova që të saktësojnë rrethanat. Familjarët e viktimës, ditën e djeshme kanë kërkuar ndihmën e policisë, pasi kanë treguar se Dilaver Peqini ishte larguar për të gjuajtur peshk, si zakonisht. Mësohet se ai peshkonte me mjete rrethanore, duke ia shitur gjahun lokaleve të vogla të zonës. Ata e kanë pritur disa orë, por kur ndërsa po mbyllej dhe dita e martë, dhe ai nuk po kthehej, i janë drejtuar uniformave blu. Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, pohoi dje, se "pas kërkimeve intensive, me ndihmën edhe të banorëve të zonës, rreth orës 13:30 u gjet i pajetë në ujërat e lumit Shkumbin trupi i 50-vjeçarit, shumë pranë pikës turistike të Bushekut". Një i moshuar kishte parë trupin, shumë pranë bregut, duke lajmëruar policinë. Nga hetimet e para në vendngjarje, grupi hetimor nxori si konkluzion paraprak se Peqini mund të jetë mbytur. Trupi i tij u dërgua në morgun e Qendrës Spitalore "Xhaferr Kongoli" në Elbasan, ku mjekët konstatuan plumbin në gjoks. Plaga e marrë prej armës së zjarrit dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen, e më pas ai ka rënë në ujërat e lumit. Menjëherë policia kriminale nisi hetime për këtë ngjarje, duke vendosur kontakte me familjarët, për të mësuar mbi momentet e fundit, nëse viktima kishte pasur me vete armë zjarri dhe nëse ishte shoqëruar me ndokënd. Ata janë pyetur për ndonjë konflikt të viktimës, që mund të ketë çuar autorët deri në kryerjen e krimit. Familjarët mësohet të kenë treguar se Peqini nuk ka pasur probleme me ndokënd, duke shtuar se ai dilte për peshkim i vetëm. Mungesa e një motivi e bën enigmatike vdekjen e 50-vjeçarit. Mendohet se autorët mund ta kenë qëlluar për vdekje Peqinin, shumë larg vendit ku u gjet trupi. Ai mësohet se kishte dalë për të peshkuar në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë fshatit Labinot Fushë, për t'u gjetur në Bushek, në një distancë prej rreth 5 km. Për të gjetur ndonjë shenjë mbi këtë ngjarje, policia e Elbasanit po kërkon përgjatë rrjedhës së lumit, por deri mbrëmë nuk ka arritur të zbulojë ndonjë element të rëndësishëm. Do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të nxjerrin në pah motivet e kësaj vrasjeje të cilësuar në fillim si mbytje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›