Lejohen simbolet fetare në shkollë
Në Shqipëri hiqet Pika 4, e Nenit 36, e Projektligjit të Arsimit Parauniversitar, e cila ndalonte përdorimin e simboleve fetare në mjediset shkollore.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, vendimi është marrë pas propozimeve dhe konsultave të shumta me komunitetet fetare në vend.
Ndryshe, kjo pikë e ligjit shkaktoi debate dhe reagime të forta, pasi që, sipas palëve të interesuara, duhej të përcaktohej qartë se çfarë kishte parasysh Ministria e Arsimit me termin "simbole fetare". Sido që të jetë, del se tash e tutje përdorimi i kryqit apo i ndonjë simboli tjetër fetar nuk do të jetë i ndaluar për nxënësit shqiptarë.
Jozyrtarisht, mësohet se projektligji i kontestuat është në proces të përmirësimit në të gjithë kapitujt e tij, mbështetur në sugjerimet e shkollave, mësuesve, prindërve, institucioneve qendrore, grupeve të interesit e partnerëve të huaj. Sapo të përfundojë, ai do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.
Projektligji i ri i arsimit të lartë pritet të marrë formën ligjore shumë shpejt, dhe që viti i ri shkollor të rregullohet pikërisht në bazë të tij sa i përket arsimin parauniversitar. Për herë të parë në këtë projektligj është përfshirë edhe statusi i mësuesit, i cili do ta vendosë figurën e arsimtarëve në një vend të pozicionuar mirë.