E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari shkruan libër për tragjedinë e Gërdecit

Autori i Lajmit: red.
Tragjedia e Gërdecit

Tragjedia e Gërdecit tashmë do të jetë e shkruar në libër. Dhe iniciativën për të hedhur atë çka ka ndodhur në Gërdec e ka marrë nja nga të akuzuarit për këtë tragjedi. Ylli Pinari ka deklaruar nga ambientet e paraburgimit 313 se është duke shkruar një libër për vitet e tij në krye të ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit MEICO dhe deri tek tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Pinari u arrestua nga policia vetëm tri ditë pas tragjedisë së 15 marsit dhe tashmë po bën afro 15 muaj nën masën e sigurisë arrest me burg. Ish-drejtuesi i MEICO kërkon vetëm drejtësi nga gjykata dhe të dënohen fajtorët, gjithashtu ai ka theksuar se akuzat ndaj tij kanë qenë politike.
Deklarata
Dje Ylli Pinari është filmuar nga kamerat duke ndjekur një ndeshje futbolli që po zhvillohej në ambientet e paraburgimit të burgut “Jordan Misja”. Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga drejtori i “Albademil”, Dritan Minxholli dhe nuk kanë qëndruar shumë gjatë dhe janë rikthyer sërish në qelitë e tyre. Ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, nuk pranoi të flasë përpara kamerave, por gjatë një bisede të lirë ai u shpreh për qëndrimin e tij në qeli. Pinari ka thënë për “Top Channel” se po shkruante një libër për kohën kur ka drejtuar kompaninë e eksport-importit të armëve si dhe për atë që njihet tashmë si tragjedia e Gërdecit. Pinari shtoi se pret vetëm nga gjykata drejtësi, ndërsa shprehet se akuzat e ngritura ndaj tij për Gërdecin janë politike. I veshur sportiv, sikurse edhe Dritan Minxholli, ata qëndruan vetëm pak çaste dhe më pas u larguan së bashku, në pritje të procesit gjyqësor që tashmë është zhvendosur nga Gjykata e Lartë në Gjykatën e Tiranës.
Akuza
Ndaj ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, janë ngritur disa akuza. Ai fillimisht u akuzua “për shkeljen e rregullave dhe sigurisë teknike për lëndët plasëse”, por disa muaj më vonë atij iu ngritën edhe akuzat “shpërdorim detyre”, “vrasje masive” dhe shkatërrim prone. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi pronarin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgjin dhe drejtorin e kësaj kompanie, Dritan Minxhollin. Ylli Pinari është akuzuar nga drejtësia si një nga personat kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Të shumtat e provave hedhin “baltë” mbi të, pasi ka rezultuar se trafiku i municioneve ishte i organizuar prej tij. Sipas hetimeve të prokurorisë, Ylli Pinari është personi që ka lidhur kontratat drejtpërdrejt dhe ka qenë pjesë e mashtrimit të shtetit amerikan si dhe shumë aferave të tjera që kanë rënduar mbi shtetin shqiptar.

Pinari, ideatori i trafikut të armëve
Emri i Ylli Pinarit ka dalë në shumë dokumente që ka sekuestruar prokuroria si prova materiale. Pinari është akuzuar se ka marrë pjesë në çdo lëvizje që është bërë për ndërtimin dhe furnizimin me municione të “Albademilit” dhe “SAC-it” në Gërdec. Pinari gjithashtu ka zhvilluar një takim të fshehtë me përfaqësuesit e kompanisë amerikane ku dhe kanë vendosur për pazaret e trafikut të armëve, për të cilat po vazhdojnë ende hetimet nga prokuroria. Por Ylli Pinari e ka shtrirë edhe më gjerë aktivitetin e tij për import dhe eksport municioni. Ai është pronar dhe drejtues i një kompani private import-eksporti municionesh në vendin tonë si dhe pronar i një kompanie të së njëjtës linjë në shtetin e Maltës.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›