E Hënë, 2 Nëntor 2026

Leku humbet 0.65 për qind të vlerës kundrejt euros

Monedha shqiptare humbi terren gradualisht gjatë tri ditëve të fundit, ndërsa u zhvlerësua me 0.65 për qind vetëm gjatë ditës së djeshme kundrejt euros, duke dëshmuar për tendencë afatgjatë negative. Euro e nisi javën në kuotën 134.22 lekë dhe u forcua gradualisht deri në kuotën 135.68 lekë. Dita e djeshme qe veçanërisht negative, kur leku humbi 88 qindarka, lëvizje kjo e pazakontë për vetëm një ditë. Si zakonisht, në raste lëvizjesh të forta, bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor zgjeruan marzhet mes shitjes dhe blerjes së valutave si një masë mbrojtjeje. Leku ka humbur 9.82 për qind që nga 1 janari i këtij viti, ku pjesa më e madhe e rënies u shënua në muajt mars dhe shtator.

Në javën e fundit të shtatorit, gjatë dy ditëve panik, euro fluturoi për një çast në kuotën 138.2 lekë, por pas kësaj u tërhoq dhe u stabilizua për një javë në kuotën 134.5 lekë. Të gjithë e pranojnë se faktorët makroekonomikë afatgjatë janë në disfavor të lekut. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë vijon të mbetet i lartë, pavarësisht se kriza aktuale ndërkombëtare duhej që teorikisht ta zbuste.

Ndërkohë, politikanë dhe ekspertë të ndryshëm po aludojnë për të zbuluar shkaqet e zhvlerësimit të lekut. Leku ka qenë një monedhë e qëndrueshme për më shumë se një dekadë, e garantuar kjo nga rritja e vogël e bazës monetare (parasë në qarkullim) nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe viti 2009 shënon herën e parë një vit me tendencë negative. Qeveria ka shpallur si shpjegim pothuajse zyrtar faktin se nuk është leku monedha e dobësuar, por është euro monedha e forcuar. Sipas tyre, euro është forcuar gjatë këtij viti kundrejt shumë monedhave të rajonit dhe të botës dhe nuk ka arsye të besohet se leku do të përbënte një rast përjashtues. Përkundrejt këtyre pretendimeve, Banka e Shqipërisë ka argumentuar në shumë raste se deficiti i lartë i buxhetit të shtetit gjatë dy viteve të fundit ka sjellë edhe rritjen e deficitit të llogarisë korrente, gjë që ushtron presion mbi lekun.

Gj. E.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›