E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndët alternative, gjimnazet nuk mund t‘i përballojnë të gjitha

Shkollat e mesme në vendin tonë duken ende të papërgatitura për të garantuar mësimdhënien e plotë edhe për lëndët e reja alternative, që janë përfshirë në programin mësimor të klasave të dhjeta.

Nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, por edhe të shkollave të tjera të mesme, do të studiojnë me tekste shkollore tërësisht të reja. Ato janë rinovuar në përputhje me programet e fundit të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Në këtë mënyrë, të rinjtë e klasave të dhjeta, sikundër quhen ndryshe, do të kenë mundësi që të zgjedhin mes disa lëndëve të reja alternative.

Këtë vit, për herë të parë, në shkollat e mesme shqiptare do të hyjnë lëndë të tilla si Matematika e avancuar, Letërsia e avancuar, Teknologjia e informacionit, Guida turistike, Fotoshop, Teatër, Dancing etj. Gjithashtu, një vend të rëndësishëm në programin e ri mësimor që mendohet t‘u ofrohet këtyre të rinjve do të zënë edhe disa alternativa të gjuhëve të huaja. Këtu përjashtim bën vetëm Anglishtja dhe Italishtja që konsiderohen si gjuhë të para dhe janë përfshirë në lëndët bazë të detyruara.

Por, ndërsa Ministria e Arsimit e ka konsideruar këtë program të dyfishtë, pra me lëndë të detyruara dhe të tjera me zgjedhje, si një zgjidhje bashkëkohore për shkollën shqiptare, duket se gjimnazet nuk janë ende gati për të përballuar këtë ndryshim. Drejtues të shkollave të mesme në kryeqytet, ndonëse e vlerësojnë një zgjerim të gamës së zgjedhjeve të nxënësve, si dhe mundësitë që u ofrohen këtyre të fundit, pohojnë se zbatimi në praktikë nuk do të jetë edhe aq i thjeshtë. Njëri nga drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës shprehet se gjithçka do të varet në preferencat e të rinjve, por pa harruar këtu edhe kapacitetet apo mundësitë e shkollës për t‘iu përgjigjur organizimit të këtyre orëve mësimore alternative. Kështu, në rastet kur ka të rinj që kanë studiuar lëndën e gjuhës gjermane në sistemin 9-vjeçar dhe preferojnë të thellojnë këto njohuri edhe në gjimnaz, jo gjithmonë mund të përfitojnë nga kjo mundësi. Kjo së pari, për shkak të mungesës së mësuesve të gjermanishtes, por nga ana tjetër, edhe nga pamundësia për të formuar një klasë me nxënës, që të kenë të njëjtën preferencë për këtë gjuhë. Po kështu edhe për lëndët e tjera preferenciale.

Lidhur me stafin pedagogjik që do të mbulojë mësimdhënien për këto lëndë dytësore drejtuesit e shkollave janë disi më të qetë. Sipas tyre, ky është një problem që mendohet se do të zgjidhet duke shfrytëzuar kapacitetet e brendshme. Kjo do të thotë që të njëjtit mësues që japin lëndët e detyruara do të detyrohen që të mbulojnë edhe këto orë mësimore të tjera shtesë. Një gjë e tillë për drejtuesit e gjimnazeve kryeqytetase do të zgjidhet duke riorganizuar shpërndarjen e ngarkesës së orëve të mësimit për çdo mësues. Kjo pasi, ka jo pak raste, kur mësuesit nuk e plotësojnë të gjithë ngarkesën mësimore të detyruar. Kështu mësuesit e lëndës së Matematikës do të duhet që të marrin përsipër edhe orët e Matematikës së avancuar për nxënësit që do të zgjedhin këtë si preferencë të tyre. Por duket se mësuesit e shkencave ekzakte do të jenë më të ngarkuarit në këtë proces të ri të tjetërsimit të kurrikulës mësimore. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se për orë mësimore të tilla si Teatri apo Dancing në rastet kur mësuesit e Letërsisë apo ata të Fizkulturës nuk do të mund që t‘i marrin përsipër, ekziston edhe mundësia e kontraktimit të "të huajve". Pra, e regjisorëve apo kërcimtarëve, të cilët mund të paguhen nga shkolla, mbi bazë të orëve të mësimit, që do të zhvillojnë me nxënësit. Megjithatë, një gjë e tillë do të varet edhe nga buxhetet e vetë shkollave apo drejtuesit e tyre.

Secili nga nxënësit mund të zgjedhë deri në dy lëndë alternative. Ato do të kenë një ngarkesë nga një deri në dy herë në javë. Një ndryshim i tillë i detyrohet orientimit të prirjeve të të rinjve për të ardhmen e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›