Një super Meklaren në Valencia, Ljuis në "pole", Bader i fundit
MekLaren e çmendur në kualifikimet e GP-së së Europës. Ljuis Hemilton dhe Heki Kovalainen dominuan garën dhe fituan edhe radhën e parë me anglezin në Pole, edhe pse pati probleme gjatë provave. Koha e tretë për Braun GP-në e Rubens Barrikelos, pastaj ishte Sebastian Vetel me makinën Red Bull. Lideri i kurorëzuar Xhenson Batën i pesti, pastaj ishte e para nga dy makinat Ferrari me Kimi Raikonen të gjashtin. Luka Bader u eliminua në turin e parë të kualifikimeve të Çmimit të Madh të Europës në cirkuitin e Valencias. Piloti i Ferrarit, që zëvendëson Masën, gjatë fillimit të garimit me kokëkuqen në provat zyrtare të Formula 1 doli i njëzeti dhe nesër do të niset nga vendi i fundit. Jashtë 15 vendeve të para edhe dy pilotët italianë, Xhankarlo Fizikela dhe Jarno Truli. Piloti nga Veneto do të mbështetet kësaj here nga babi Ferruço dhe mami Aleksandra, që kanë ardhur për të bërë tifo në garimin historik të të birit. "Në Spa do të shkojë më mirë, kjo garë më duhej për të mësuar. Nesër do të kem 60 xhiro të tjera në dispozicion, që do të më shërbejnë për eksperiencë të mëtejshme". Ndërsa për sa u përket zërave mbi Majkëll Shumakerin, janë për t‘u regjistruar fjalët e menaxherit Uill Ueber: "Majkëll ka nevojë për kohë që të shërohet dhe askush nuk e di sa kohë duhet. Mbase tre apo katër muaj", tha ai për mikrofonin e "Sky Sport". "Jam shumë i mërzitur për lajmërimin që na u desh të bënim në Gjenevë, si shkak i problemit me qafën. Pas testit, dhimbja u bë shumë e madhe. Nuk mund ta dimë sa kohë duhet për t‘u shëruar. Majkëlli po stërvitet, sepse ka dëshirë që të merret sërish me sport. Dëshiron të garojë me Kart, dëshiron të rikthehet mbi motor", shtoi Ueber. "Unë nuk dua të kthehem". E thotë vetë Majkëll Shumaker në një ekskluzive në "Sport Mediaset" nga Valencia, duke përgënjeshtruar hipotezat për një rikthim të mundshëm në Formula 1 me Ferrarin. E tha këtë pavarësisht problemeve që pati në qafë, të cilat e detyruan të heqë dorë nga projekti për të zëvendësuar Masën. "Kam bërë gjithçka në botëror, e çfarë mund të bëja më tepër? Kam një jetë shumë të pëlqyeshme, ndaj nuk mendoj më për këto...".