Ofertë për Messin = suspendim

Një ofertë për transferimin e yllit të Barcelonës, Lionel Messi, u përcoll me suspendimin e klubit nga një fshat i Francës. Cedric Enjolras, president i FC Borne, skuadër nga divizioni i dytë i ligës Haute-Loire, më herët gjatë javës bëri ofertë zyrtare për reprezentuesin argjentinas.
Ajo mund të ketë qenë shaka, por Federata e Futbollit e Francës (FFF) nuk e llogariti të tillë. Borne, skuadër e një fshati me 400 banorë, synoi të sjellë futbollistin më të mirë në botë të viteve 2009 dhe 2010 në radhët e tyre, por përpjekja u bllokua nga FFF.
Oferta për transferim kërkonte regjistrimin e futbollistit nga FFF, që refuzoi ta përcjellë atë te Federata e Futbollit të Spanjës. Edhe pse Barcelona vështirë se do ta kishte pranuar ofertën, ata nuk arritën as ta lexojnë atë.
Mirëpo, e tëra nuk mori fund me kaq. Enjolras u suspendua nga detyra e tij për gjashtë muaj. “Nuk mund të pranohet një sjellje e këtillë. Ndoshta është një shaka, por jemi këtu t’i vlerësojmë faktet”, tha Yves Begon, kreu i zyrës për regjistrim në FFF.
Enjolras, i habitur nga vendimi i FFF-së për suspendimin e tij, shpjegoi atë që ndodhi: “Për të paraqitur oferta mes klubeve të vogla, ju duhet të plotësoni formular në internet. Kam vendosur të regjistroj një ofertë, andaj në sistem shkrova emrin e Lionel Messi, datën e lindjes së tij dhe klubin e tij, Barcelona. Liga e paraqiti kërkesën në Federatën e Futbollit të Francës. Ata ishin të shokuar prej saj dhe refuzuan ta përcjellin te homologët e tyre spanjollë. Jam suspenduar për gjashtë muaj. Ishte vetëm një shaka për të zbavitur shokët. Do t’i kaloj muajt e ardhshëm në një kafene”.
Messi tashmë ka shënuar më tepër se 40 gola për Barcelonën gjatë këtij sezoni në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, dhe konsiderohet si një prej futbollistëve më të talentuar i të gjitha kohërave. Të martën mbrëma, ai realizoi dy herë, derisa gjiganti katalan mposhti Arsenalin 3-1 në Nou Camp dhe siguroi kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.