Sekuestrohen në Tiranë 2100 gr lëndë narkotike e dyshuar si Heroinë
Tiranë - Seksioni kundër Drogës pranë policisë së kryeqytetit arriti të sekuestrojë 2100 gr lëndë narkotike të dyshuar si heroinë dhe vuri në pranga 5 shtetas si mbajtës dhe shitës të saj. Gjithçka u realizua falë operacionit të mirorganizuar të koduar “Trekëndëshi”, nëpërmjet të cilit u arrit goditja e një grupi kriminal, që kishte aktivitet në rrethet Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Tiranë. Arrestimi i personave u realizua mbi bazën e posedimit të shumë informacioneve operative. Nga tërësia e veprimeve hetimore, duke realizuar këtë operacion me metodat speciale të hetimit, u arrit kapja dhe sekuestrimi i kësaj sasie si dhe kapja e 5 shtetasve, ndaj të cilëve u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë. Të arrestuarit janë: Ibrahim Cani, 34 vjeç, lindur e banues në Peqin, Ardit Bakalli, 29 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Nikolin Merko, 37 vjeç, lindur e banues në Përmet, Denis Caveli, 20 vjeç, lindur e banues në Tiranë, Fatmir Mezini, 19 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Pas një hetimi të shtrirë për një periudhë kohore në 2 muaj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u arrit tërësisht dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tyre.
Përgjatë momenteve të goditjes së këtij grupi me tendencë prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, ato u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës në afërsi të kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit, ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër, por për arsye të hetimit nuk mund të bëjmë publik gjeneralitet e tij. Në sajë të organizimit për zhvillimin me sukses të këtij operacioni u arrit goditja e aktivitetit të tyre kriminal, shitja e lëndës narkotike heroinë në tre qytetet e lartpërmendura. Aktualisht strukturat e antidrogës së Tiranës janë duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për aktivitetin kriminal të këtyre shtetasve, implikimin e personave të tjerë apo asete të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Njëherazi materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
3 Dhjetor 2008