E Diel, 1 Nëntor 2026

Leo Mesi nuk do të luajë në ndeshjen miqësore Skoci-Argjentinë

Barcelonë (Start)- Ylli i futbollit botëror, Lionel Mesi, nuk lejohet nga skuadra e tij, Barcelona, të luajë në ndeshjen e përfaqësueses Argjentinase me Skocinë. Mes klubit spanjoll të Barcelonës dhe Federatës së Futbollit Argjentinase, ekziston një konflikt që prej lojërave olimpike “Pekin 2008”. Futbollisti u aktivizua me kombëtaren olimpike argjentinase pa marrë miratimin nga klubi.

Drejtuesit e Barcelonës kanë vendosur të mos lejojnë lojtarin të luajë në ndeshjet miqësore të përfaqësueses së tij, si ndëshkim ndaj pjesmarrjes në lojërat olimpike.

Për këtë çështje në Barcelonë ndodhej trajneri i ri argjentinas, Diego Armando Maradona. Maradona bisedoi me presidentin Laporta dhe lojtarin, por në përfundim nuk u arrit një marrëveshje.

“Ne vetëm sa i shpjeguam Leo Mesit se çfarë duam prej tij. Vetëm kaq. Ai nuk do të jetë në këtë ndeshje, për shkak të mosmarreveshjeve mes Barcelonës dhe Federatës. Megjithatë, është diçka shumë e mirë që futbollisti ka dëshirë të luajë në çdo ndeshje. Kjo gjë na bën krenar për të”, -deklaroi Maradona pas bisedimeve me Laportën dhe Mesin.

Argjentina do të luajë ndeshje miqësore me Skocinë në Glasgou, në datë 11 nëntor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›