E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Sali Berishës”

26/08/2010 Balla shigjeton ashpër qeverinë

Partia Socialiste vijoi dhe gjatë ditës së djeshme publikimin e fakteve të reja për korrupsionin në lidhje me dhënien e koncesioneve. Kësisoj deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi se bashkëjetuesi i deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, biznesmeni Arjan Tartari është përfituesi i të gjitha koncesioneve që janë dhënë në lumin Kardhiq nga Ministria e Ekonomisë. Në fjalën e tij, deputeti socialist radhiti të gjitha emrat e kompanive që kanë marrë koncesionet duke theksuar se Tartari është përfituesi i tyre. Ndërkohë duke kujtuar akuzat që kanë bërë këto ditë deputetët e PD-së, në lidhje me biznesmenin Artan Avllaj, dhe shprehjes së deputetëve të PD-së që “Rama të tregojë ku fle Lepuri i korrupsionit”, Balla u përgjigj se tashmë shqiptarë e dinë se ku fle lepuri. “Meqë Sali Berisha kishte merak të dinte se ku fle lepuri i korrupsionit, përgjigja që vjen nga këto dokumente është e qartë: Lepuri i korrupsionit fle te familja e Sali Berishës, me Albana Vokshi e kompani”, deklaroi ai. Sipas Ballës, bazuar në dokumentacionin përkatës të regjistrimit në QKR këto kompani janë po të Albana Vokshit e partnerit të saj, pas një konsorciumi me disa kompani, është në thelb i njëjti person: Arjan Tartari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›