E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Gjirokastrës, në alarm prej mungesës së gjakut

 

GJIROKASTER – Spitali i Gjirokastrës vuan nga mungesa të theksuara të depozitave të gjakut. Ndërsa dhuruesit vullnetarë të gjakut pothuajse mungojnë, sasia e siguruar kundrejt pagesës po ulet dita-ditës. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Bankës së Gjakut në Gjirokastër, ku situata paraqitet mjaft e vështirë. Sipas burimeve, përgjatë këtij viti vetëm dy vetë janë paraqitur pranë kësaj qendre për të dhënë gjak vullnetarisht, në një kohë kur nevojat për të janë të shumta. Punonjësit e kësaj pike të grumbullimit të gjakut pohojnë se, situata bëhet edhe më kritike në rastet e aksidenteve apo operacioneve kur në spital ndihet e domosdoshme kërkesa për gjak. Në këto raste, e vetmja zgjidhje ka qenë dhurimi i gjakut nga familjarë apo të afërm të të aksidentuarit. Kryqi i Kuq i Gjirokastrës mjaft herë ka apeluar tek popullata për dhurimin vullnetar të gjakut, por deri më tani duket se kjo thirrje nuk ka dhënë efektin e duhur tek komuniteti gjirokastrit. Sipas përgjegjëses së Kryqit të Kuq të Gjirokastrës, Aida Hysi, përgjatë dy viteve të fundit ky organizëm ka apeluar për dhurimin vullnetar të gjakut jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në rrethet fqinje por më kot. “Qytetarët nuk kanë njohuritë e duhura për dhurimin vullnetar të gjakut, megjithëse apelet nuk kanë munguar”, pohon ajo. Alarmante dhe e paprecedentë cilësohet situata edhe nga kirurgët e Gjirokastrës. Sipas tyre është e vështirë të ndërmarrësh një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e këtij qyteti pa siguruar më parë gjak sidomos të korrespondueshëm me grupin e gjakut të pacientit. Për gjendjen e krijuar bluzat e bardha pohojnë se, “nuk ka përgjegjësi spitali por ndjeshmëria e njerëzve për të dhuruar vullnetarisht gjak të pastër”. Ndërkohë ajo që zbeh më shumë shpresat për përmirësim është fakti që dita-ditës vihet re pakësimi i numrit të personave që japin gjak kundrejt pagesës. Ky është një shqetësim ende edhe më i madh, çka jep alarmin për mungesën e lëngut jetësor në Bankën e Gjakut në Gjirokastër.                      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›