E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: 10 vjet burg kush prek votën

Kryetari i Lidhjes Demokristiane të Shqipërisë, Nikollë Lesi, hodhi dje publikisht disa propozime në kuadër të reformës së pritshme elektorale. Në një prononcim për median, Lesi u shpreh se pas mbylljes së grevës së urisë së socialistëve, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, aktorët e tjerë kryesorë politikë, duhet të ulen e të hartojnë ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor. LDK propozon që: a) çdo parti politike pjesëmarrëse në zgjedhje të ketë të drejtë që të kërkojë hapjen e rinumërimin e fletëve të votimit; b) 10 vjet burg për çdo komisioner dhe numërues që rezulton se në qendrën e votimit ku ai është përgjegjës ka vota të vjedhura; c) komisionerët e qendrave të votimit dhe anëtarët e numërimit të votave të mos jenë pjesëtarë të partive politike. Këto janë ndër propozimet e para publike që vijnë në kuadër të reformës zgjedhore që ka gjasa të fillojë pas arritjes së një kompromisi për kapërcimin e krizës aktuale politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›