E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës, asnjë sinjal për projektet

Fondet Nuk ka ende një mbledhje të lajmëruar të Këshillit Artistik

Fondet vjetore për projektet artistike në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, vazhdojnë në mbeten të bllokuara. Dosjet e aplikimeve të individëve apo shoqatave joqeveritare qëndrojnë ende të mbyllura. U tha se Këshilli Artistik do të mblidhej brenda javës që shkoi, ndërkohë që sot është dita e fundit e javës së dytë dhe ende nuk ka asnjë mbledhje. E pyetur një javë më parë, drejtoresha e Artit, Moza Sofroni, e justifikoi këtë mungesë me përgatitjen e bazës ligjore. “Kjo lloj vonese është e justifikueshme, sepse ndërkohë kemi rregulluar bazën ligjore, mënyrën e funksionimit të projekteve, janë parë edhe njëherë aplikimet e veçanërisht ato që paraqisnin vështirësi për t’u plotësuar”, pati theksuar Sofroni, duke sqaruar se në të parën mbledhje Këshilli Artistik ishte tashmë i njohur me këtë bazë ligjore dhe mënyrën se si do të funksionojë. Në këto rrethana, bordit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të mblidhej për shqyrtimin e projekteve që praktikisht duhet të organizoheshin në gjysmën e parë të këtij viti. Në takimin që ende nuk është lajmëruar kur do të mbahet, bordi do të vendosë vetëm për aktivitetet që do të organizohen në muajt qershor-korrik. Ndërkohë, të ndodhur në mëdyshje, disa organizatorë aktivitetesh që kanë aplikuar pranë MTKRS-së e kanë vendosur në posterat e aktiviteteve që tashmë i kanë organizuar, logon e këtij institucioni.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›