Lesi: Humba, për fajin e Kodit
Kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi, ka thyer heshtjen, duke bërë komentin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Lesi është shprehur se pas zgjedhjeve u pa qartë që shumë parti të vogla nuk u futën në Parlament, ndër to edhe LDK-ja. Sipas Lesit, janë disa arsye që çuan në ndëshkimin e LDK-së, të cilat do të analizohen në Këshillin Kombëtar. Lesi thotë se problemi më kryesor mbetet Kodi Zgjedhor, i hartuar nga PS-PD vitin e kaluar, që ishte vendimtar e me paramendim për të larguar të gjitha partitë e vogla dhe faktikisht Kodi ia arriti ta bënte këtë gjë. "Ne, tha Lesi, humbëm dhe nuk arritëm të futeshim në Parlament, ndonëse në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës arritëm një përqindje dinjitoze që shkon mbi 2.3 për qind, edhe për shkak se aleati ynë kryesor, PD, na sulmoi hapur e fshehur në mënyrë që t‘i rrëmbente votat tona". "Përballë, u shpreh Lesi, kishim PS, me të cilën nuk kishim koalicion, por pas shpine ishte dhe aleati i firmosur që na sulmoi, prandaj humbëm dhe kjo na bën që në akord me disa parti të tjera të vogla humbëse, por edhe të tjera fituese, të insistojmë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor". "Ne si LDK, theksoi Lesi, kemi qenë për një Kod Zgjedhor në dy variante. I pari që Parlamenti të ketë sistem të pastër mazhoritar, ku Parlamenti të ketë vetëm 100 deputetë ose në variantin tjetër që sistemi të jetë krejtësisht proporcional kombëtar, ku pragu minimal për t‘u futur në Parlament të ngrihet nga 2.5 për qind, që ka qenë vazhdimisht, në 3 për qind dhe në çdo palë zgjedhje normale të rritet pragu me 0.5 për qind. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor, ne si LDK, do të jemi në Parlament natyrisht duke ndryshuar paksa strategjinë elektorale, pasi këtë radhë punuam e sollëm vota në koshin e PD-së dhe si përfundim nuk jemi në Parlament për të treguar forcën tonë kurajoze". Lesi tha se "një prej fajeve të frymës demokristiane, e cila do të mungojë në Parlamentin e ri, është se gjatë këtij mandati parlamentar që po ikën, ne, si demokristianë, u përçamë, natyrisht për fajin e atyre që u treguan të pabesë ndër radhët e siglave demokristiane. Por duhet të organizohemi si forcë demokristiane, duke lënë mënjanë qejfmbetjet dhe të ringrihemi atje ku duhet të jemi, pasi për herë të parë në Parlamentin e Shqipërisë mungon fryma e shpirti demokristian. Kjo për fajin tonë, por dhe të atyre që na futën ‘thikat‘ pas shpine që quheshin aleatë".