E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS. Të martën votohen emrat e kandidatëve

15/04/2005  Kryesia e Ps do të marrë në shqyrtim emrat e paraqitur prej degëve

Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste do të marrë një formë përfundimtare vetëm në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie, në fillim të javës që vjen. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje se edhe pse është hartuar një listë e kandidatëve, ajo do të jetë në vazhdën e ndryshimeve prej forumeve më të larta të partisë siç janë Kryesia, apo Komiteti i Përgjithshëm Drejtues. Në mbledhjen e radhës së Kryesisë Socialiste, e cila mësohet se është planifikuar të zhvillohet ditën e martë, shqyrtimi i listës praprake do të jetë objekti kryesor i takimit. Megjithatë, lista paraprake, e cila duket se ka marrë aprovimin e krerëve kryesore të PS-së, pritet të ketë ndryshime të vogla nga anëtarët e kryesisë. Megjithatë do të jetë Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PS-së që do të japë vendimin përfundimtar për konkurrentët. KPD-ja mësohet të mblidhet urgjentisht pas mbledhjes së Kryesisë për të marrë në shqyrtim, përveç listës së kandidatëve për deputetë, dhe çështje të tilla si platformën elektorale e Partisë Socialiste. Ndërsa kongresi i PS do të mbahet më 29 prill, një javë pasi PD të ketë zhvilluar Kuvendin Kombëtar.

Kryesia

Në fillim të javës, lista paraprake e kandidatëve për deputet do t'i dorëzohet Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila do të marrë në shqyrtim emrat në të 100 zonat elektorale. Debati në kryesi pritet të përqëndrohet në ato emra dhe zona që kanë sjellë debate të ashpra kohëve të fundit. Sipas numrit dy të selisë socialiste, Gramoz Ruçi, Kryesia do të japë përgjigjen përfundimtare të zhurmës së emrave të rinj, të të larguarve si dhe të atyre që nuk i është konfirmuar ende kandidimi. Ruçi tha se “ky është problemi jonë që të 100 zonat elektorale janë plotësuar dhe njëherësh 100 zona nuk janë plotësuar”. Në këtë mënyrë, Ruçi thekson se janë ende në diskutim disa prej zonave elektorale, të cilat kanë sjellë në zyrat qendrore të PS-së më shumë se një kandidaturë për deputet. Ndërkohë që grupet e punës në PS-së tashmë janë në fazën përfundimtare të përgatitjes së infrastrukturës politike dhe organizative. Hartimi i platformave politiko-elektorale do të marrë shqyrtimin e Kryesisë për t'u miratuar dhe ratifikuar në KPD-së dhe në kongres. Një çështje tjetër e rëndësishme do të jetë dhe dalja më një qëndrim, lidhur me aleatët për bashkëpunimin në zgjedhje.

Kongresi

Pas shqyrtimit të listës së kandidatëve për deputet nga Kryesia dhe më pas nga KPD-ja delegatët e kongresit do të jenë dhe filtri i fundit, në të cilin do të kalojnë të 100 emrat e kandidatëve. Data e mbledhes së kongresit elektoral të PS-së, sipas Ruçit, do të jetë e diela e fundit e muajit prill. ”Kongresi do të mblidhet ashtu siç kemi deklaruar brenda muajit prill. Që do të thotë 29-30 prill”. Pas përfundimit të punimeve të kongresit PS-së do të fillojë fushatën elektorale në të gjithë vendin, ku do të shpalosin paltformën dhe alterenativën socialiste për të fituar zgjedhjet e përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›