E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Tani ndryshime te ministrat e PD

Kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi, ka kërkuar ndryshime në qeveri, tani në radhët e ministrave të Partisë Demokratike. 

Në një prononcim për mediat ish-kryetari i Partisë Demokristiane, tha se, "ndryshimet në qeveri mendoj se tani kanë mbaruar me aleatët, prandaj tani ose maksimumi në shtator duhet të vazhdojnë me ministrat e Partisë Demokratike". Kreu i kësaj partie i ka bërë disa herë thirrje kryeministrit Berisha të largojë nga qeveria disa prej ministrave. Por anëtari i qeverisë më i kritikuar nga ana e ish-demokristianëve ka qenë pikërisht pasardhësi i tij në Partinë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili është duke mbajtur edhe për pak ditë postin e ministrit të Shëndetësisë, derisa në Kuvend të votohet emri i Anila Godos. Ndërkohë, pas postit të lënë bosh si nënkryetar Kuvendi nga Fatos Beja, kryetari i njërës prej partive demokristiane, Anton Gurakuqi, i ka kërkuar kryeministrit që të emërojë pikërisht Nikollë Lesin, si zëvendësues të Bejës. Por nga Partia Demokratike ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë kërkesë të Gurakuqit, megjithëse ka pak shpresa që demokratët ta lënë për partitë aleate këtë post.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›