E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Fini në Tiranë, më 15 shtator

"Italia e sheh me shumë interes Ballkanin dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet në Shqipëri". 

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri italian, Giani Letta, gjatë takimit që i rezervoi kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Itali e ftuar nga kryetari i Parlamentit, Gianfranco Fini. "Siç diskutuam edhe me zotin Fini, kemi nisur punën për ratifikimin e protokollit të NATO-s, në mënyrë që të mund të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në vitin e ardhshëm. Ne vlerësojmë shumë mbështetjen e Italisë në të gjitha proceset integruese dhe e konsiderojmë partnerin tonë kryesor, në rrugën drejt integrimit euroatlantik", deklaroi Topalli. Ndërsa Letta nga ana e tij u shpreh se, "ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të kapur ritmin e realizimit të objektivave që ju shprehët", duke konfirmuar një mbështetje të fortë e të vazhdueshme të Italisë, e veçanërisht të qeverisë italiane për Shqipërinë. Kryeparlamentarja ka ftuar zv/kryeministrin italian, i cili njihet edhe si pasardhës i Berluskonit, në një vizitë në Shqipëri. Letta, sipas zyrës së Kuvendit, u shpreh se, "do të përshpejtojë këtë vizitë së bashku me kryeministrin Berluskoni dhe një grup investitorësh italianë për të rritur kështu bashkëpunimin politik, por edhe atë ekonomik". Ndërsa është bërë e ditur se në datën 15 shtator kryetari i Parlamentit italian,  Gianfranco Fini, do vizitojë Shqipërinë. Lajmi për këtë vizitë është konfirmuar nga vetë Fini, duke ju përgjigjur kështu, ftesës së bërë pak kohë më parë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Një takim i veçantë i Topallit ishte edhe ai me kryetaren e Parlamentit të Serbisë, Sllavica Djukiç-Dejanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›