E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Ramës: Skema e heqjes së akcizës është korruptive

Partia Demokratike reagoi dje sërish ndaj deklaratës së bërë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, se do të heqë akcizën e naftës për fermerët. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, deklaroi se "këto kohë kryetari i PS-së, Rama, po u deklaron fermerëve se do heqë akcizën e naftës çka do të thotë bëhuni gati se do mbush xhepat me naftën tuaj". Sipas PD-së, skema e heqjes së akcizës ishte një nga skemat më të korruptuara me të cilën qeveritarë dhe zyrtarë mbushën xhepat e tyre, ndërsa fermerët vetëm naftë që nuk panë me sy. "Rama u premton fshatarëve korrupsion dhe vetëm korrupsion. Pas ‘sovranitetit ushqimor‘ të nxjerrë nga traktet marksiste-leniniste të antiglobalëve tani kthehet të skema e vjedhjes së naftës nëpërmjet heqjes së akcizës", u shpreh zëdhënësja e PD-së në deklaratën e saj. Ajo i kujtoi kryetarit të PS-së, Rama, se edhe fshatin ai e shikon me të njëjtin sy që shikon Bashkinë e Tiranës. "Pasi fillimisht u përpoqe ta mashtrosh me enciklika e më pas me akciza apo ‘sovranitete ushqimore‘, por duhet të dish se fshatarët shqiptarë kanë një kod tjetër moral nga ai i yti", u shpreh Mëhilli. Një ditë më parë, kryetari i selisë rozë deklaroi se pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste do të hiqte akcizën e naftës për fermerët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›