E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj e Ngjela replikojnë me ministrinë për posterat

Kreu i G99, Erjon Veliaj, si dhe kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, reaguan dje pas heqjes së posterave në autostradën Tiranë-Durrës nga policia ndërtimore. Veliaj dhe Ngjela akuzuan qeverinë si ideatore të dhunimit të votës së lirë.

Ndërsa Ministria e Punëve Publike, sqaroi se vendimi për prishjen e tyre është marrë në respekt të ligjit, i cili ndalon vendosjen e çdo objekti në një distancë më të afërt se 25 metra.

Në një deklaratë për mediat, Veliaj deklaroi se Berisha rrëzoi disa tabela që s‘kërkonin gjë tjetër veç të drejtën e votës së lirë. "Në Shqipëri votimi nuk është falas. Shqiptarëve, e drejta e votës i taksohet nga Sali Berisha", tha Veliaj. Sipas Veliajt, kjo është e njëjta kompani që ka punuar në fushatën e zotit Berisha kur ai kandidonte me duar të pastra. "Kur kjo kompani publikonte fytyrën e tij, zoti Berisha dërgonte falënderime dhe mirënjohje, ndërkohë që sot që ato mbajnë një mesazh kundër tij ai përgjigjet duke i shkatërruar", tha Veliaj. Në të njëjtën linjë me Veliajn u shpreh edhe kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Ai tha se policia ndërtimore ka prishur disa postera të tij. Ngjela e konsideroi një shkelje të rëndë kur ai ka një kontratë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›