Leskaj: Berisha, i kompleksuar
Opozita i delegon prokurorisë të drejtën për t‘i shkuar deri në fund çështjes "Fazliç". Një ditë pas dështimit të mocionit me debat për Kryeministrin në Kuvend, Partia Socialiste ka vendosur ta lërë këtë çështje në dorën e Kryeprokurores. Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, deklaroi se kreu i qeverisë nuk iu përgjigj opozitës në Kuvend, pasi është i kompleksuar për çështjen "Fazliç". Sipas saj, mocioni u thirr me besimin se edhe në Shqipëri duhet të funksionojë sistemi i kontrollit dhe balancave, sepse në një shtet demokratik duhet të funksionojë llogaridhënia e qeverisë në Parlament. "Kryeministri është i kompleksuar nga çështja ‘Fazliç‘, ndaj nuk iu përgjigj pyetjeve, duke fshehur të vërtetat që tashmë janë bërë të njohura për publikun", vijoi ajo. PS-ja thotë se Berisha nuk iu përgjigj pyetjes se cili është statusi i këtij njeriu, që siguria kombëtare është në duart e tij, për sa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtare raportojnë përpara tij, edhe pse dihej që kohë më parë BG&R që e solli këtu kishte lobuar kundër çështjes së Kosovës. "Nuk tha çfarë përfaqëson ky njeri që ka në dorë shtetin, që duket hapur se i krijohen lehtësira e merret edhe në mbrojtje, duke bërë presion mbi prokurorinë", nënvizoi Leskaj. Ashtu sikurse nguli këmbë te mungesa e llogaridhënies për marrëdhëniet e Fazliç me BG&R; marrëdhëniet e Fazliç me qeverinë; për përfitimet e tij nga parat publike të energjisë; mospagimin e taksave; pastrimin e parave dhe shumë pyetje të tjera që lidhen me këtë skandal. "Natyrisht, ne nuk kishim ndonjë iluzion që Kryeministri do bënte dje, atë që nuk e ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij politike, të paktën transparencën, se pendesa është një fjalë e madhe për të", vlerësoi Leskaj. Sipas saj, Kryeministri bëri dje një përpjekje e dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali "Fazliç", që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit. "Kryeministri nuk u përgjigj pse ka shpërfillur interesat e shtetasve të këtij vendi, për sa kohë që mes interesave të vendit dhe atyre të Fazliçit ka zgjedhur këtë të fundit", këmbënguli kryetarja e grupit të PS-së. Leskaj siguroi se PS e ka mbështetur dhe do vazhdojë ta mbështesë prokurorinë për zbardhjen e skandaleve të kësaj qeverie nga krimi shtetëror në Gërdec deri tek afera Fazliç. "Ka kohë që vendi nuk po qeveriset më, ndaj ne kemi kërkuar dje e do vazhdojmë të kërkojmë largimin e Berishës nga qeverisja", tha Leskaj.