Meta: Reforma, ndërkombëtarët të shprehen qartazi
Ish-kryeministri Ilir Meta tha dje se OSBE-ja ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Kreu i LSI-së u shpreh se kjo organizatë ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara, jo vetëm nga ne, por dhe nga opinioni ndërkombëtar. "OSBE-ja, gjithnjë rekomandimet pas zgjedhjeve, për zgjedhjet e ardhshme, i ka pasur konstruktive, por nuk u ka qëndruar në mënyrë konsistente, duke marrë në një farë mënyre dhe përgjegjësitë e saj për çështjet e zgjedhjeve në Shqipëri", sqaroi ai. Kreu i LSI-së shtoi se, në radhë të parë, përgjegjësia e problemeve të zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet e klasës politike në vend. Sipas tij, rekomandimi kryesor i OSBE-së ka qenë rritja e gjithëpërfshirjes dhe që ky ka qenë një qëndrim shumë parimor, por rezultati i reformës Xhafa-Rusmali është pikërisht monopolizimi i procesit dhe jo gjithëpërfshirja. "Fakti është se tentohet që të shmanget nga përfaqësimi forca e tretë politike në vend, e konfirmuar qartazi si në vitin 2005 dhe akoma më me forcë në vitin 2007, në zgjedhjet e përgjithshme vendore, ku çdo parti ka marrë votat e saj", garantoi Meta. E gjithë kjo, vijoi ai, tregon se nuk kemi të bëjmë me një Reformë Zgjedhore, por me një komplot, që nuk është thjesht kundër LSI-së, është kundër zgjedhjeve, është kundër integritetit të procesit, është kundër barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë. LSI-ja thotë se nuk është një forcë që kontrollohet e që varet, qoftë nga PD-ja apo nga PS-ja, është një forcë reale, është një forcë sfidante. "Ne dëshirojmë që partnerët ndërkombëtarë të shprehen qartë për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes reale dhe jo fiktive të të gjithë aktorëve kryesorë politikë në vend", kërkoi Meta. Ai këmbënguli se parimi "nuk ka rëndësi se si voton populli, rëndësi ka se si numërojnë ata që do të jenë te numërimi", nuk mund të funksionojë dhe nuk do të funksionojë më në Shqipëri. Meta paralajmëroi se aksioni kryesor dhe madhor i Lëvizjes Socialiste për Integrim është kurorëzimi me sukses i një Kodi Zgjedhor që garanton integritetin e procesit zgjedhor.