E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje për formulën e përbërjes së KQZ, shtyhet sërish reforma

LSI-ja ka mundur që të shtyjë edhe për një ditë miratimin e draftit përfundimtar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në mbledhjen e mbrëmshme, përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho, pasi ka replikuar ashpër në komisionin e reformës me përfaqësuesin e PS-së, Fatmir Xhafa, për skemën e KQZ-së dhe të komisioneve zgjedhore, ka kërkuar që komisioni të mos e miratojë draftin, por t‘i japë kohë kësaj partie, që të paraqesë në mbledhjen e sotme propozimet e saj përfundimtare për përbërjen e KQZ-së. Ky propozim është marrë parasysh nga dy partitë e mëdha në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilat, me unanimitet të plotë, kanë miratuar gati 51 nene të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që kanë lënë për të miratuar vetëm kapitullin e KQZ-së dhe të përbërjes zgjedhore. Aktualisht, dy partitë e mëdha, e kanë mbyllur punën për Kodin Zgjedhor, pasi tashmë, drafti i përbashkët është hartuar dhe pasi të marrë miratimin e plotë në Komisionin e Reformës, ai pritet të paraqitet për diskutim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas në Kuvend për të marrë formën e tij përfundimtare. Dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, pavarësisht kundërshtimeve të LSI-së, kanë rënë dakord për skemën e përbërjes së KQZ-së. Sipas tyre, KQZ-ja do të jetë e përbërë nga shtatë anëtarë. Dy do të jenë të PD-së dhe dy të PS-së, anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare. Ndërsa anëtari i shtatë zgjidhet në Kuvend me shumicë të cilësuar me propozim të mazhorancës. Në draftin e hartuar nga dy partitë e mëdha, i cili do t‘i paraqitet për miratim Kuvendit, është përcaktuar mënyra e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së, të zëvendëskryetarit, të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të KQZ-së, koha se kur ndërpritet mandati i anëtarit të KQZ-së, zëvendësohet një anëtar i KQZ-së, kompetencat e KQZ-së, mbledhjet dhe vendimmarrjet etj. Gjithashtu, në këtë draft, është përcaktuar edhe mënyra kur ngrihen zonat e administrimit zgjedhor dhe komisionet zonale, përbërja e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve detyrat dhe kompetencat e tyre. Po kështu, është vendosur edhe në lidhje me përbërjen e komisioneve të qendrave të votimit, detyrat dhe përgjegjësitë. Tashmë, për ta miratuar përfundimisht edhe këtë kapitull të Kodit Zgjedhor do të duhet edhe disa orë, pasi sot, në orën 9:00 të mëngjesit, Komisioni i Reformës do të mblidhet sërish për të dëgjuar propozimet përfundimtare të LSI-së. Nëse ato pranohen, atëherë do të bëhen disa ndryshime në këtë kapitull, në të kundërt, ai do të miratohet nga dy partitë e mëdha, të cilat kanë shumicën në Kuvend dhe ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta, kanë mundësi të miratojnë vetëm Kodin e ri Zgjedhor me shumicë të cilësuar. Deri më tani, PD-ja dhe PS-ja kanë dhënë konsensusin e tyre dhe kanë shprehur hapur dëshirën për të miratuar një kod të ri, i cili siguron zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbetet vetëm për të pritur se cili do të jetë hapi i LSI-së, e cila ka kërcënuar për revoltë politike në Parlament.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›