E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Berisha nuk i mbajti premtimet që bëri”



Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit u ka thënë banorëve të komunës Karinë se qeveria e Sali Berishës nuk ka mbajtur pjesën dërrmuese të premtimeve, ndaj, më 28 qershor duhet të largohet me votë. Leskaj i ka siguruar banorët e Karinës se Partia Socialiste ka një program serioz për ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka futur kjo maxhorancë. “Kryeministri shkoi me disa makineri në Gramsh, te gryka e Banjës, për të përuruar punimet për hidrocentralin. Në Parlamentin shqiptar është miratuar një marrëveshje për koncesionin e HEC-it të Banjës dhe në marrëveshje është e shkruar, e zeza mbi të bardhë, që punimet në HEC-in e Banjës do të fillojnë pas 60 muajsh, që i bie pas 5 vjetësh. Kryeministri shkoi dje, filloi përurimet. Unë do t’ju lutesha që të shkonit e të shikonit sot po patë një makineri. Çoi dje disa makineri, bëri deklaratën dhe sot nuk ka asnjë makineri, asnjë këmbë njeriu atje”.

Dade: “Shqiptarët do të votojnë për politikën e re të vizionit”

Kandidatja për deputete e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, është takuar me banorë të Gjirokastrës për t’u kërkuar që më 28 qershor të tregojnë zgjuarsinë që i karakterizon, duke i dhënë ndryshimin e duhur vendit. Sipas Dades, Partia Socialiste tashmë është një forcë që mund ta qeverisë vendin me dinjitet. Ajo u ka bërë thirrje jo vetëm gjirokastritëve, por të gjithë shqiptarëve që më 28 qershor të votojnë politikën e re të ndryshimit. “Ju, por edhe të gjithë shqiptarët, duhet të votoni politikën e re të vizionit, për një shoqëri demokratike, politikën e re të konsultimit, politikën e re të vënies së krahut njëri-tjetrit, për të mirën e Shqipërisë. PS-ja ka një program qeverisës që do të zhvillojë vendin, program i hartuar falë turit dyvjeçar “Dialog me Shqipërinë” të zotit Rama dhe gjatë konsultimeve me ekspertët më të mirë të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, mjedisit dhe të nxitjes së prodhimit”, - tha Dade.

Blushi: “Ekonomia e vendit, më e rrënuar se kurrë”

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ben Blushi, në takimet elektorale me banorët e Arzës është shprehur se Sali Berisha e ka shtuar më shumë korrupsionin në vend gjatë mandatit 4-vjeçar. Sipas Blushit, ekonomia e vendit është më e rrënuar se kurrë në këto 4 vite, pasi kryeministri mendoi më shumë për pasurimin e familjes të tij. Ben Blushi kërkoi që më 28 qershor i gjithë qarku i Korçës të votojë Partinë Socialiste. Ai tha se është i patolerueshëm fakti që shumë të rinj e të reja, të cilët duan të jetojnë në Shqipëri, detyrohen të largohen pasi qeverisja aktuale me korrupsionin e saj e ka zhytur vendin në varfëri dhe papunësi. Blushi tha se Partia Socialiste synon që me programin e saj qeverisës të rikthejë shpresën në vend, te të rinjtë. Duke folur për fshatin, ai tha se PS-ja do të mbështesë çdo agrobiznes, duke hequr për tre vite me radhë pagesën e taksave.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›