Leskaj: Berisha pa program, vetëm me slogane demagogjike
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, në kuadrin e prezantimit të programit të ri qeverisës është ndalur në fshatin Qukës. Leskaj ka folur para banorëve të Qukësit për problematikën e madhe që fshati ka. Fshati sot, është shprehur ajo, është 50% më i varfër se qyteti. Sipas Leskaj, me fitoren në zgjedhjet e qershorit, Partia Socialiste ka gati një plan të detajuar për t‘i ardhur në ndihmë fshatit me politika lehtësuese. "Berisha, ka vazhduar ajo, s‘ka të drejtë të kërkojë votën e shqiptarëve, sepse s‘ka alternativë, s‘ka program, përveç parullave". "Sali Berisha nuk ka të drejtë morale t‘ua kërkojë edhe një herë votën shqiptarëve. Sali Berisha nuk ka të drejtë morale t‘ua kërkojë votën shqiptarëve, sepse i gënjeu një herë. I Gënjeu në 2005-ën me programin që bëri. Ju të gjithë e dini që Sali Berisha propagandoi si askush tjetër kartën anti-korrupsion, por në fakt e rriti, e shumoi korrupsionin me ritme galopante si asnjëherë tjetër në Shqipëri", tha Leskaj. Ajo vuri në dukje se Berisha s‘ka të drejtë të kërkojë votën, nuk ka moral të kërkojë votën, sepse nuk ka alternativë. "Më thoni kush është programi i Partisë Demokratike, përveç parullave të Saliut?!", përfundoi Leskaj.