E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: 5 mijë aplikantë nuk kanë marrë kartën e identitetit

Partia Socialiste në Fier u shpreh dje për procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Kreu i PS-së së Fierit, Arjon Muçaj, denoncoi papërgjegjshmërinë e operatorëve në zyrat e aplikimit, pasi ata kanë "djegur" ose nxjerrë të pavlefshme rreth 5 mijë karta të shtetasve në qytetin e Fierit. Sipas kreut të PS-së së Fierit, qytetarët kanë paguar vlerën e plotë për letërnjoftimin e ri dhe ende nuk e kanë marrë dokumentin në fjalë. "Partia Socialiste e Fierit ka siguruar të gjithë informacionin zyrtar të nevojshëm për ecurinë e deritanishme të procesit të aplikimeve për letërnjoftimet e reja. Rezulton nga të dhënat zyrtare që ka nxjerrë PS-ja e Fierit se 2 seri aplikimesh që përbëjnë rreth 5000 aplikues janë djegur. Bëhet fjalë për aplikimet e para që përkojnë me muajt shkurt dhe mars", tha ai, duke shtuar se kjo ka ardhur si rezultat i papërgjegjshmërisë së punonjësve të zyrave të aplikimit. Ndërkohë që nga Ministria e Brendshme ende nuk është bërë e ditur pse aplikantët nuk janë pajisur ende me kartë identiteti. "Tashmë duhet që 5000 aplikuesit e parë të kryejnë riaplikim", tha kreu i PS-së së Fierit, Arjon Muçaj. Muçaj akuzoi qeverinë si përgjegjësen e pengesave që po hasen në procesin e aplikimeve. Sipas selisë rozë të Fierit, mësohet se ende në Fier nuk ka nisur procesi i aplikimit për kartat me çmimin e ulur 200 lekë. "I gjithë procesi nuk është gjë tjetër veçse një pengesë e qëllimshme që vjen nga qeveria dhe firma sipërmarrëse, me qëllim që ky proces të mos japë rezultatin e duhur", deklaroi Muçaj.
Nga ana tjetër, në zyrat e aplikimit për letërnjoftimet e reja asnjë nga operatorët nuk ka dashur të japë shpjegime lidhur me këtë akuzë që është ngritur nga dega e PS-së lokale. Operatorët janë justifikuar duke thënë se "kemi mjaft punë me aplikimet dhe nuk kemi kohë të prononcohemi". Ndërsa prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj, tha se ka një vonesë në prodhimin e kartave, ndërsa akuzat e PS-së, si sulme politike. Ndërkohë që, në një takim me delegatët e PS-së, kryetari i grupit të kësaj partie për Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të njësive vendore që drejtohen nga PS-ja, si dhe të gjithë anëtarëve të PS-së, që të japin angazhimin e tyre personal në procesin e aplikimit për kartat e identitetit. Ruçi ka orientuar krerët e komunave dhe të bashkive që t‘i sigurojnë të gjithë ata votues të së majtës për t‘u pajisur me karta identiteti.

Ministria: Procesi po ecën normalisht

Ministria e Brendshme i kundërpërgjigjet Partisë Socialiste për kartat e identitetit. Ministria e Brendshme ka sqaruar dje se
procesi është i shtrirë në të gjithë territorin e vendit dhe se pas kërkesës së autoriteteve zyrtare shqiptare, koncesionari ka shtuar kapacitetet e aplikimit përtej atyre të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë proces. "Janë mbi 50 stacione aplikimi të hapura më shumë se parashikimi", thotë zëdhënësi i kësaj ministrie. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, janë bërë mbi 850 mijë aplikime dhe janë prodhuar mbi 650 mijë karta identiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›