Qeveria kundërshton sondazhin e USAID
Ndërsa media dhe shqiptarët prisnin reflektim të qeverisë ndaj sondazhit, Berisha deklaron se nuk beson te perceptimi i publikut
Rreth 87% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është rritur ose ka mbetur në të njëjtat nivele gjatë vitit 2007. Duket se vetë kryeministri Sali Berisha, i takon minorancës prej 13%, të cilët mendojnë se korrupsioni është ulur.
Dje, kur media dhe opinioni publik priste që kryeministri dhe qeveria e tij të përgjigjeshin për rezultatet dramatike të sondazhit mbi korrupsionin, një projekt i financuar nga USAID dhe i prezantuar nga ambasadori i SHBA-ve, John Withers, z. Berisha anashkaloi një përgjigje të drejtpërdrejtë, por përsëriti ndoshta për të njëqindtën herë se “korrupsioni është ulur”.
“Ka korrupsion, por në administratën time nuk ka më konflikt interesi dhe ne po e luftojmë atë”, - tha kryeministri duke folur para një grupi euforik studentësh në Qytetin Studenti, duke mbrojtur hapur administratën e tij.
Dy ditë më parë, u bë e ditur se 75.3% e shqiptarëve ndjenin se problemet e vendit sot janë papunësia, problemet ekonomike dhe varfëria. Sipas z. Berisha, problemi i vendit është mungesa e lirisë. “Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë për nga burimet”, - deklaroi kryeministri para studentëve. “Ne jemi sot të varfër sepse na ka munguar liria”.
Këshilltarikryeministrit për luftën kundër korrupsionit, z. Fatbardh Kadilli, deklaroi nga ana e tij për TV Klan se rritja e numrit të shqiptarëve që ndjejnë se ka korrupsion, është edhe si pasojë e luftës së qeverisë kundër korrupsionit. “Sa më shumë nisma ligjore të ketë, sa më shumë arrestime të ketë, aq më i lartë është perceptimi se ka korrupsion”, - deklaroi Kadilli, sipas të cilit, është shumë pozitiv fakti se vetëm 5% e shqiptarëve e konsiderojnë korrupsionin si problem të vendit, kuotë kjo në rënie kundrejt viteve të mëparshme.
Vetë kryeministri Berisha, deklaroi pak javë më parë se nuk besonte te opinioni publik si matës i realitetit të korrupsionit në vend. I pyetur nga BBC “Hard Talk”, se pse më shumë shqiptarë vlerësojnë se mitmarrja dhe korrupsioni është rritur, kryeministri tha: “Këto janë perceptime. Në realitet është shumë më pak”.
Heshtje dhe fshehje informacioni
Zyrtarë pranë qeverisë, këshilltarë të kryeministrit si dhe media zyrtare, publikuan të paplota të dhënat e sondazhit, thanë se “korrupsioni është i lartë në drejtësi” apo e përdorën fjalën e z. Withers për interesat politike të mazhorancës. Në kuvend, deputeti Bujar Leskaj kërkoi heqjen e imunitetit të deputetëve dhe akuzoi opozitën si kundërshtare për këtë reformë.
Gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike komentoi të dhënat e publikuara dy ditë më parë në mënyrë selektive, duke rënë në konkluzionin se korrupsioni është “veçanërisht i lartë mes drejtësisë dhe shëndetësisë”, por nuk përmendi në asnjë rast të dhënat për ministrat dhe deputetët. Në fakt, perceptimi publik vë në dukje se në gjykata ka pasur më pak korrupsion gjatë vitit të kaluar, në sistemin e shëndetësisë nuk ka pasur ndryshim ndërsa në rangjet politike, është rritur. Pati mes mbështetësve të qeverisë që përgënjeshtruan të dhënat për korrupsionin. Këshilltari për politikat antikorrupsion, Fatbardh Kadilli, deklaroi në TV Klan se të dhënat për perceptimin e korrupsionit janë të pavërteta dhe se korrupsioni është në ulje.
Rezultatet e një sondazhi të publikuar, vunë në dukje se qytetarët vlerësojnë se korrupsioni është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar dhe se konsiderojnë veçanërisht të korruptuar ministrat dhe deputetët. Rezultatet vënë në dukje se qeveria Berisha po bie në të njëjtin nivel korrupsioni ose më poshtë në krahasim me vitin 2005, kur në qeveri qenë të majtët. Sipas sondazhit, kryeministri ka humbur besimin e qytetarëve të të gjitha bindjeve politike, por veçanërisht mes atyre me prirje të djathta. Në vitin 2006, 18.3% e shqiptarëve me prirje të djathta besonin se korrupsioni qe shtuar. Për 2007, ata që e besojnë rritjen e korrupsionit arritën në 38.5%.
Shpresë e vrarë
Indekset që masin besimin publik kritikohen në të gjithë botën si mekanizma jocilësorë, por pavarësisht kësaj, pranohet se publiku ndjen korrupsionin më shumë kur gjendja e tij ekonomike vështirësohet. Në vitin 2005, energjia elektrike qe shqetësimi kryesor i të intervistuarve. Vitin e kaluar, (kur vendi kaloi krizën më të rëndë energjetike në histori), ky qe i gjashti në listën e shqetësimeve të popullatës. Vendin e parë, të dytë e të tretë, e zunë papunësia, problemet ekonomike dhe varfëria. Përkundrejt këtyre të dhënave, kryeministri Berisha deklaroi para studentëve dje: “Shqipëria është një nga vendet më të pasura në planet, por mbetet vend i varfër për shkak se i ka munguar liria”.
Sondazhi vëren se 60% e shqiptarëve e vlerësojnë sot situatën ekonomike si të keqe ose shumë të keqe, shifër kjo 13% më e lartë se në vitin 2006. Më shumë se gjysma e popullatës vëren se ekonomia është përkeqësuar gjatë vitit të shkuar, pavarësisht deklarimeve të qeverisë për miliarda investime të huaja dhe rritje ekonomie 6%. Problemi më i rëndë, është se një pjesë e konsiderueshme e popullatës kanë humbur shpresën. Rreth një e treta e vendit beson se ekonomia do të përkeqësohet gjatë vitit të ardhshëm.
Inflacioni kapërcen sërish kufirin maksimal
Instituti i Statistikave njoftoi dje se Indeksi i Çmimeve të Konsumit shënoi një rritje vjetore prej 4.4% gjatë muajit prill, më lart sesa objektivi maksimal i qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë prej 4.4%. Kostoja e ushqimeve u rrit me 8% me bazë vjetore, udhëhequr nga buka me 34%, vaji me 20% dhe energjia elektrike me 20%. Me një rënie të lehtë kundrejt muajit mars, shkaktuar nga efekti sezonal i ndërrimit të veshjeve dhe këpucëve, inflacioni i prillit mbetet dy herë më i lartë sesa mesatarja shumëvjeçare. Gjatë vitit të kaluar, inflacioni i prillit qe vetëm 1.9%.
Shqipëria ka përjetuar inflacion të ulët që prej vitit 2000, kryesisht përmes forcimit të monedhës vendëse. Gjatë vitit 2007, leku rreshti së forcuari kundrejt euros, për pasojë, inflacioni i importuar u ndje më shumë në vend, ndërsa prodhuesit vendës përfituan rritjen e parë të çmimeve pas shumë vitesh depresioni në konkurrencë të ashpër nga mallrat e importit.
Shpresa te prodhimi vendës
Qeveria shpreson se një sezon i mbarë bujqësor këtë vit mund të sjellë inflacion më të ulët gjatë muajve në vijim. Gjatë vitit të kaluar, u arsyetua gabimisht se thatësira kishte shkaktuar rënie të fortë të prodhimit bujqësor vendës e për pasojë, solli edhe rritjen e çmimeve duke filluar nga gushti. Shpresohet se këtë vit, prodhimi i fushës do të jetë më i lartë. Megjithatë, të gjitha parashikimet janë që inflacioni do të mbetet në nivele të larta gjatë të gjithë vitit dhe objektivi për inflacion rreth 3% duket tërësisht jorealist në klimën aktuale. Gjatë muajit të kaluar, INSTAT-i vërejti se ka rritje të çmimit në naftës dhe benzinës. Një pjesë e madhe e inflacionit është shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, në një kohë që Qeveria dhe ERE janë nën presionin e ndërkombëtarëve për rritjen e mëtejshme të çmimeve të KESH në korrik të këtij viti.