E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Imuniteti i Mediut të futet urgjent në seancën plenare”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha dje se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur kërkesën që çështja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu të futet urgjent në seancën plenare, duke filluar që nga dita e sotme. “Dua t’ju bëj me dije që sapo i kam kërkuar kryetares së Kuvendit, znj. Topalli, në të cilin do t’i parashtroj kërkesën e PS-së që çështja e heqjes së imunitetit të zotit Mediu të futet në seancën e ditës së enjte në mënyrë që çështja e imunitetit të mos bëhet pengesë apo një motiv për të bllokuar punën e Prokurorisë dhe të mos pengojë zbardhjen e së vërtetës. Në fakt është për të ardhur keq që kjo situatë absurde e vonesës në heqjen e imunitetit dhe ndërhyrjeve në institucionet e pavarura, ka shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare, ka shqetësuar edhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë dhe i ka detyruar siç detyroi ambasadorin e SHBA-ve, një mik i madh i vendit tonë, të dalë dje me një deklaratë për shtyp që ka të bëjë si me çështjen e bllokimit, le të themi, të procesit, ashtu edhe më respektimin e institucioneve të pavarura. Shpresoj që kryetarja t’i përgjigjet kërkesës tonë”, - tha Leskaj.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së tha se i kishte kërkuar takim kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për çështjen e imunitetit të Mediut. “Arsyeja e takimit me zonjën Topalli ka të bëjë me insistimin tonë që të futet sa më shpejt në seancë kërkesa për heqjen e imunitetit të zotit Mediu. Ky është qëndrimi që kanë mbajtur dhe do të mbajnë edhe përfaqësuesit e PS-së, deputetët tanë në Këshillin për Rregulloren dhe Imunitetet”, - u shpreh Leskaj.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›