PDK-ja mbështet deklaratën e ambasadorit Uidhers
Grupi Parlamentar i PDK-së ka mbështetur dje deklaratën e ambasadorit amerikan në Tiranë për mosbllokimin e heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në një deklaratë për shtyp deputeti i PDK-së, Ndue Shpani, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së ka kërkuar dhe kërkon me forcë që Prokuroria e Përgjithshme të hetojë në mënyre të paanshme ngjarjen e Gërdecit dhe të nxjerrë para ligjit përgjegjësit e kësaj tragjedie të rëndë. “Ne si grup parlamentar i kemi dhënë dhe do t’i japim të gjithë mbështetjen tonë zonjës Ina Rama për kryerjen e funksioneve të saj kushtetuese. Nga ana tjetër ne dënojmë çdo përpjekje nga kushdo qoftë për të ushtruar presion politik mbi Prokurorinë e Përgjithshme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ne bashkohemi me shqetësimin e ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, z. Uidhers, i cili ka dhe do të ketë mbështetjen tonë të plotë parlamentare”, - është shprehur Shpani. Më tej ai ka shtuar se Grupi Parlamentar i PDK-së dënon bllokimin e dekreteve të presidentit Topi. “Ne vërejmë me keqardhje se në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe me rregulloren e funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka tendenca bllokuese dhe qëndrimet antikushtetuese ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës, çka ka krijuar një konflikt të panevojshëm dhe të papranueshëm midis institucionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Institucionit të Presidentit të Republikës”, - është shprehur Shpani.
5 Qershor 2008