E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Nato, opozita krenare për kontributin në këtë proces

Në emër të grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj ka përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar si aktin më historik që ka pasur parlamenti shqiptar. Por, Leskaj nuk ka lënë pa përmendur edhe kontributin mjaft të rëndësishëm të opozitës në periudhën e qeverisjes së saj. Leskaj deklaroi se Partia  Socialiste është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces, i cili lidhet me ringritjen e ushtrisë pas ngjarjeve të rënda të vitit 97, duke mundësuar  që Shqipëria të bëhet ndër vendet e para që ju bashkuan koalicionit antiterror me dërgimin e trupave në Afganistan e Irak, dhe me pjesëmarrjen në Nismën e Adriatik 3, në vitin 2003. Këto nuk janë të vetmet kontribute, u shpreh Leskaj. Për herë të parë në Shqipëri, theksoi Leskaj, një opozitë bëhet kontributore direkte e procesit, si nismëtare e Rezolutës për anëtarësimin e vendit në NATO. Gjithashtu, Leskaj tha se PS luajti një rol iniciues në dy reformat, që kushtëzuan marrjen e ftesës për në NATO, reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Ratifikimin në një kohë të shkurtër nga parlamentet e 26 vendeve të NATO-s dhe anëtarësimin, që pritet në Samitin e Kehl - Strasburgut, Leskaj e cilësoi një  mbështetje dhe konfirmim të partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve të shkëlqyera me SHBA dhe me vende të tjera të Aleancës, të cilave ne shqiptarët duhet tu jemi mirënjohës. Këtë herë politika shqiptare edhe pse me vonesë u bë shprehëse e konsensusit të gjerë të popullit shqiptar, për anëtarësimin në NATO, me konsensusin e arritur për reformat, që mundësuan dhe marrjen e ftesës, u shpreh Leskaj. Më tej, Leskaj nuk harroi ti bënte thirrjes qeverisë, që duke filluar nga e hëna e ardhshme, duhet të përballet me kërkesën e opozitës për letërnjoftimet, në rast të kundërt opozita do të përshkallëzojë kundërshtinë e saj. Sali Berisha duhet të kujtojë vitin 2006, kur megjithëse mund ta dëshironte shumë, nuk arriti dot t'i bënte zgjedhjet me certifikata fallco. Bëri zgjedhje në marrëveshje me opozitën, për standardin e certifikatave të lejueshme, tha Leskaj. Ajo bëri apel se këtë radhë, askush nuk mund të na e heqë të drejtën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me karta të blera për të varfërit, nga Fazlliçët e Kryeministrit apo të fallsifikuara, në skutat e Ballkanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›