Ministria e Shëndetësisë: Numri i të infektuarve me Sida, në rritje
Në qytetin e Durrësit ka filluar punimet konferenca e 4 rajonale ballkanike për luftën kundër HIV/AIDS-it. Konferenca që zgjat dy ditë, ka mbledhur 150 pjesëmarrës nga 12 shtete të Evropës dhe ajo organizohet nga Partnership in Health.
Konferenca është përshëndetur edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila në fjalën e saj tha se në Shqipëri veprimtaritë në kuadrin e parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së HIV/ AIDS tek popullata e lëvizshme janë koordinuar dhe përshtatur në strategjinë kombëtare të emigracionit si dhe në strategjinë kombëtare të parandalimit të HIV/AIDS. Sipas ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, pjesë e strategjisë kombëtare të parandalimit të kësaj sëmundjeje është ndërgjegjësimin i shoqërisë për tu testuar dhe informuar mbi sëmundjen. Anila Godo u shpreh se ligji i miratuar në parlament për parandalimin e HIV/ AID- s dhe strategjia kombëtare janë një përpjekje për ti thënë ndal kësaj pandemie botërore. Godo u shpreh se një rëndësi e veçantë i është kushtuar ngritjes së klinikave këshilluese në të gjitha qarqet si dhe fuqizimit te klinikës ambulatore pranë QSUT- së, në të cilën trajtohen personat që janë të infektuar me virusin HIV/AIDS. Gjatë vitit 2008 është miratuar nga parlamenti shqiptar ligji i ri për HIV/AIDS si dhe është rishikuar strategjia kombëtare për vitet 2008-2014, e cila do të miratohet dhe lançohet së shpejti. Nga të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik numri mestar i personave që infektohen nga virusi HIV/AIDS është 6-7 persona në vit, ndërkohë që për vitin 2008 janë konstatuar 46 raste të reja, nga të cilët 29 janë meshkuj dhe 17 femra. Grupmoshat e personave që vuajnë nga ky virus janë nga 25 deri 34 vjeç dhe 35 deri 44 vjeç. Deri tani 20 fëmijë, prej të cilëve 9 të seksit mashkull dhe 11 të seksit femër janë bërë viktimë e AIDS, 15 prej të cilëve nga prindërit e tyre dhe 4 nga marrja e gjakut. Në bazë të statistikave të bëra publike thuhet se 5 fëmijë e kanë marrë virusin vdekjeprurës në çastet e transfuzionit të gjakut, kurse të tjerët nga prejardhja. Në më shumë se 90 për qind të rasteve ky virus rezulton të jetë marrë nga kontakti seksual, ndërkohë që bartësit janë të moshës nga 22 vjeç deri në moshën 45 vjeç që është edhe mosha më aktive. Nga ana tjetër, Drejtori i Politikave të Planifikimit Familjar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Arjan Harxhi tha se kemi një tendencë në rritje dy vitet e fundit: Në 2008 kemi pasur 48 raste shifër, që nuk pritet të ketë ulje në 2009, ndërsa vetëm përgjatë tre mujorit të parë të 2009 janë regjistruar 10 raste të reja me HIVAIDS, ka bërë të ditur Harxhi.