E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: PS, jo pjesë e nismave antiligjore

Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së tha dje se Berisha po hap konflikt edhe ,me ndërkombëtarët

TIRANË- Partia Socialiste sensibilizohet me shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë për konfliktin më të fundit të hapur mes ekzekutivit dhe prokurorisë. Në një konferencë për shtyp, dje Valentina Leskaj në emër të grupit parlamentar të PS-së ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e plotë për deklaratën që Ambasadori Amerikan Xhohn Withers, bëri në Prokurorinë e Përgjithshme përkrah kryeprokurores Ina Rama lidhur me ndërhyrjet e qeverisë në çështjen “Fazlliç”. Reagimi i Komunitetit Ndërkombëtar u interpretua nga Leskaj si shprehje e një alarmi të ndërkombëtarëve për shqetësimin e shprehur prej kohësh nga Partia Socialiste lidhur me tendencat uzurpuese të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura. “PS shpreh edhe njëherë mbështetjen e plotë për deklaratën e Ambasadorit Amerikan z.Withers, si vijim i mbështetjes që ai si përfaqësues i Shtetit Amerikan, i bën demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe në veçanti prokurorisë e cila është vënë rishtazi nën presionin e Qeverisë”, - u shpreh gjatë fjalës së saj kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Sipas socialistëve, qëndrimi mospërfillës që ka mbajtur Kryeministri Berisha ndaj këshillave të ndërkombëtarëve si ato që kritikonin ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm në punët e Prokurorisë ka rikthyer edhe një herë reminishencat e qeverisjes së parë të demokratëve. “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron si antikushtetuese, përpjekjen për anashkalim të prokurorisë, në rastin e kërkesës për hetim ndërkombëtar të çështjes, edhe kërkesën për hetim parlamentar ndaj saj kur çështja është në proces”, - tha më tej Leskaj. Partia Socialiste ka vlerësuar gjithashtu se kryeministri Berisha në përpjekje për të mbrojtur interesat e veta private ka krijuar tashmë jo vetëm një konflikt me institucionet e sistemit të drejtësisë, por ka krijuar edhe një konflikt të hapur me institucionet ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë në rrugën e forcimit të demokracisë. “Qeveria Berisha, - u shpreh Leskaj,- ka krijuar përplasje të institucioneve e konflikt mes qeverisë dhe Prokurorisë, mes Kuvendit e Qeverisë dhe së fundi edhe mes Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë të pranishëm në Shqipëri”. Në mbështetje të këtij qëllimi Leskaj ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PS nuk do ta pranojë të bëhet pjesë e asnjë komisioni hetimor që bie ndesh me Kushtetutën, dhe që synon presionin ndaj institucionit të Prokurorisë. Në emër të deputetëve socialistë, ajo i bëri thirrje Kryeministrit dhe mazhorancës të reflektojnë duke respektuar pavarësinë, që u njeh ligji dhe Kushtetuta institucioneve të drejtësisë. Në lidhje me fjalën e mbajtur nga kryeministri në parlament Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, deklaroi se Berisha edhe njëherë u shfaq si një njeri që kishte humbur qetësinë, që përdor një gjuhë të padenjë për institucionin e parlamentit, dhe mbi të gjitha, sipas saj, ai shfaqi një mungesë reflektimi ndaj sinjaleve dhe mesazheve të forta që vijnë nga përfaqësuesit e SHBA dhe BE në lidhje më qëndrimin që ka mbajtur mazhoranca kohët e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›