E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Emigrantët, urë lidhëse mes dy popujve

TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në vijim të vizitës në vendin fqinj, Italinë, vizitoi dje qytetin verior italian të Torinos ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Serxho Kiamparino. Vizita e kreut të shtetit vazhdoi më pas edhe me Presidenten e Rajonit të Piemontes, Mersedes Breso. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi dha një panoramë të zgjeruar të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, si dhe reformat e ndryshme që janë ndërmarrë. Kreu i shtetit shqiptar, duke vënë në pah faktin që një pjesë e rëndësishme e delegacionit zyrtar përbëhet nga përfaqësues me peshë të biznesit dhe sipërmarrjes shqiptare, theksoi rëndësinë e inaugurimit sot të Zyrës së Biznesit dhe Komunikimit në Torino dhe frytshmërinë e shkëmbimit të vizitave në të tillë nivele. Presidenti Topi e ftoi Presidenten rajonale të Piemontes për një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm me rajonin piemontez, ku bashkësia shqiptare, me gati 2200 sipërmarrje, është krejtësisht e integruar dhe shërben si një urë e fuqishme lidhëse dhe bashkëpunimi. Nga ana e saj, Breso vlerësoi maksimalisht vizitën e Presidentin Topi dhe të delegacionit që ai kryeson si shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera në të gjitha fushat e nivelit më të lartë që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke vënë në dukje, jo vetëm lidhjet historike dhe shpirtërore mes dy popujve, por edhe rolin e çmuar që luajnë emigrantët shqiptarë në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›