E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Qeverisja e PS, mbështetje biznesit

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi mbështetjen e selisë rozë për bizneset, kur ajo të vijë në pushtet. Gjatë një takimi në një ndërmarrje me fasonë, Leskaj u shpreh se PS ka një program shumë serioz për mbështetjen që do t‘i jepet biznesit pas 28 qershorit. "Biznesi meriton të vlerësohet, biznesi meriton të mbështetet. Ajo që ne do të bëjmë pas 28 qershorit, është mbështetja që ne do t‘i japim biznesit. Ne kemi një program shumë serioz për këtë, që ka të bëjë jo vetëm me nxitjen e iniciativave që janë në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm, madje edhe atij të madh", u shpreh ajo. Leskaj vuri në dukje se janë të parashikuara në program elementë të mbështetjes së biznesit, që kanë të bëjnë me sistemin e taksave apo investimeve në fushën e arsimit dhe formimit profesional. "Për ne, arsimimi profesional është shumë i rëndësishëm, vijoi kryetarja e grupit, pasi i ofron biznesit punëtorë të kualifikuar dhe mundësi që ai të ecë. Sipas saj, arsimi së bashku me mbështetjen e biznesit janë nga fushat prioritare të parashikuara në programin e PS-së, sepse ky vend duhet të zhvillohet, njerëzit kanë nevojë të punësohen dhe kanë nevojë për një jetë më të mirë". Në kuadër të prezantimit të programit qeverisës, kryetarja e grupit kuvendor socialist po prezanton detaje të tij në Qarkun e Elbasanit. Edhe më parë ajo ka zhvilluar takime në komuna të këtij qarku, ku ka deklaruar se kryefjala e qeverisjes së ardhshme të PS-së do jetë punësimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›