Rama: Tre vjet pa taksa, çdo biznes agrar i ri
PS premton se çdo biznes i ri agrar do të përjashtohet për tre vjet nga taksat që i detyrohet shtetit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një takim në fshatin Lubonik të Korçës, prezantoi pika të tjera të programit qeverisës, mes të cilave premtoi se qeverisja socialiste parashikon ngritjen e një agjencie të biznesit agrar. Njëkohësisht, Rama garantoi që çdo familje do të arrijë të ndërtojë një biznes agrar. Të gjitha këto, sipas tij, do të bëhen falë dëgjesës së grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. "Do të ngremë një Agjenci të Biznesit Agrar, e cila do të ketë si funksione kryesore monitorimin dhe garantimin e cilësisë së farave, fidanëve, pesticideve, të fertilizuesve, informacionin mbi tregun dhe çmimet, shërbimet bujqësore dhe veterinare për fshatin, garancinë e origjinës së produkteve dhe punën për profilizimin e biznesit agrar dhe rajoneve bujqësore", u shpreh Rama. Ndër të tjera, ai vuri në dukje se në programin e ri të socialistëve, është parashikuar të nxitet çdo familje që jeton me punën në bujqësi, që nesër të jetojë normalisht me punë të ndershme. "Ne do ta shikojmë familjen në fshat, si një familje fermere, e cila duhet të orientohet dhe kthehet në një biznes agrar dhe gjëja më e parë që do të bëjmë, është që çdo biznes agrar, do ta përjashtojmë nga çdo taksë dhe nga çdo tatim fitimi në tre vitet e para", shtoi më tej kreu socialist. Ai deklaroi se ka strategji të qarta për t‘u përballur me sfidat në çdo sektor, për të rritur mirëqenien e familjeve shqiptare dhe për të zbutur varfërinë e atyre që sot janë në skemat e ndihmës ekonomike dhe jashtë saj. Rama tha se të gjitha ato që janë pjesë e platformës elektorale nuk janë thjesht premtime, por ide, të cilat do të zbatohen që në mandatin e parë qeverisës. "Ne do të shpallim minimumin jetik dhe nuk do të lejojmë familje shqiptare nën këtë minimum, rritjen e sipërmarrjeve prodhuese, duke mbështetur sektorin privat kundër papunësisë", deklaroi ai.